
Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Rojtaret”, pas zbulimit të një grabitjeje të ndodhur më 24 tetor 2025, në një banesë në rrugën “Musa Agolli”.
Pas kallëzimit të bërë nga pronarja e banesës, e cila raportoi se gjatë mungesës së saj ishin vjedhur 1 000 000 lekë dhe sende me vlerë rreth 20 000 euro nga kasaforta, shërbimet e Komisariatit Nr. 4 organizuan menjëherë punën hetimore dhe operacionale.
Si rezultat, u identifikuan dhe u zbuluan autorët e dyshuar të ngjarjes: Pashk Zefi, 52 vjeç, dhe D. B., 56 vjeç, të dy banues në Tiranë. 52-vjeçari u arrestua, ndërsa bashkëpunëtori i tij, D. B., është shpallur në kërkim.
Hetimet kanë treguar se të dy kishin vëzhguar prej ditësh banesën dhe kishin vepruar në momentin kur aty nuk kishte askënd. Pas grabitjes, D. B. dyshohet se e ka larguar me automjet autorin kryesor nga vendngjarja.
Gjatë kontrollit në banesën e 52-vjeçarit, policia sekuestroi 2 automjete, një celular dhe një armë zjarri pistoletë me leje.
Forcat e rendit po vijojnë kërkimet për kapjen e bashkëpunëtorit dhe hetimet për të zbuluar nëse dy të dyshuarit janë përfshirë në vjedhje të tjera në kryeqytet. (A2 Televizion)
 
                                           
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                   
 
						                    
						                    
						                   