Tragjedi shqiptare në SHBA, dy të rinj humbin jetën në aksident

Nga A2 CNN
14 Nëntor 2025, 12:03 | Kronikë

Tragjedi shqiptare në SHBA, dy të rinj humbin jetën në

Komuniteti shqiptar në SHBA dhe në Shqipëri është tronditur nga lajmi tragjik për vdekjen e dy të rinjve shqiptarë, Samira Xhaferi dhe Albi Çela, të cilët humbën jetën në një aksident automobilistik në Cleveland, Ohio, më 11 nëntor.

Familjarët e tyre kanë hapur një fushatë në GoFundMe, me qëllim mbledhjen e fondeve për sjelljen e trupave në Shqipëri dhe për mbulimin e shpenzimeve të ceremonive mortore, shkruan A2 CNN. Sipas informacionit të publikuar në nismën e mbledhjes së fondeve, Samira, 27 vjeçe, ishte studente e doktoraturës në Cleveland State University, e njohur për pasionin e saj për kërkimin shkencor, përkushtimin dhe inteligjencën.

Ndërsa Albi, 30 vjeç, ishte drejt përfundimit të studimeve në Cleveland State University Law dhe po përgatitej për provimin e jurisprudencës, një hap që do t’i hapte rrugën karrierës së tij si jurist.

Të fejuar dhe të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin, Samira dhe Albi ndanin një dashuri të veçantë për librat dhe për botën e “Harry Potter”. Miqtë dhe të afërmit i përshkruajnë si dy të rinj të qetë, të mirë dhe të dashur, që sillnin ngrohtësi dhe pozitivitet kudo ku shkonin.

Qëllimi i fushatës është të mbledhë fondet e nevojshme për transportimin e trupave të Samirës dhe Albit drejt atdheut, si dhe për organizimin e varrimit dhe ceremonive përkujtimore në Shqipëri.

Familjarët u bëjnë apel të gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit, të kontribuojnë sipas mundësive ose të shpërndajnë nismën për të nderuar kujtimin e dy të rinjve që u larguan kaq herët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos