43-vjeçari Violand Braçellari, autori i vrasjes së efektivit të Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, dhe plagosjes së kolegut të tij, Edison Adri, në Lozhan të Maliqit, është një ndër personazhet më të njohura për Policinë e Shtetit për shkak të rrezikshmërisë së lartë që paraqiste.
Për afro 10 vite, policia nuk arriti asnjëherë ta arrestonte, pavarësisht se ai ishte në kërkim për kultivim droge dhe krime kundër personit. Që prej vitit 2016 rezultonte person në kërkim, ndërsa në vitin 2017 u dënua me 9 vite e gjysmë burg për kultivim droge. Megjithatë, ky vendim nuk e pengoi të lëvizte i lirë dhe të vazhdonte të ishte një kërcënim i vazhdueshëm për banorët e zonës, shkruan A2CNN.
Terreni i vështirë ku fshihej e kishte ndihmuar t’u shpëtonte katër herë operacioneve të RENEA-s. Për të mbërritur në stanin ku qëndronte, duhej të ecje rreth 40 minuta në këmbë. Ai e kishte siguruar zonën me shumë qen, në mënyrë që askush të mos afrohej pranë vendstrehimit të tij. Edhe në rastet kur policia kishte shkuar për ta arrestuar, ai arrinte të largohej dhe të fshihej në pyll, në një terren të ashpër malor, ku kishte krijuar edhe vende të posaçme për t’u strehuar.
43-vjeçari ishte kthyer prej kohësh në makthin e banorëve të fshatit. Sipas denoncimeve, ai kishte ushtruar disa herë dhunë ndaj bashkëfshatarëve dhe ishte kallëzuar në polici. Madje, vetëm një ditë më parë kishte pasur seancë gjyqësore në Gjykatën e Korçës për dhunimin e një banori të zonës.
Braçellari, një ish-ushtarak me përgatitje të lartë ushtarake, stërvitej vazhdimisht në pyll, ku kryente shpesh qitje me armë në zonat malore dhe lëvizte gjithmonë i armatosur. Ai dispononte gjithashtu një arsenal armësh në stanin ku jetonte së bashku me nënën e tij, ndërsa në banesën e familjes në fshat jetonte vetëm babai.
Autori ishte parë edhe një ditë më parë në fshat, duke lëvizur lirshëm. Policia kishte marrë informacion për vendndodhjen e tij dhe sot organizoi operacionin për kapjen e tij, pasi kishte të dhëna se nga fshati ishte ngjitur drejt stanit ku mbante bagëtitë dhe ku qëndronte me nënën e tij.
Por, edhe pse ishte një person me histori të gjatë kriminale dhe që i kishte shpëtuar katër herë operacioneve të RENEA-s, duket se rrezikshmëria e tij nuk është vlerësuar siç duhet nga strukturat e Policisë së Korçës. Për kapjen e një personi të tillë u angazhua një numër i kufizuar efektivësh. Burime bëjnë me dije se në operacion kanë marrë pjesë vetëm gjashtë efektivë të forcës “Shqiponja”.
Pikërisht për këtë arsye ka nisur edhe një hetim i thelluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) mbi mënyrën e organizimit të operacionit dhe vendimmarrjen për ndërhyrjen ndaj një personi me rrezikshmëri kaq të lartë vetëm me gjashtë efektivë policie.
Lidhur me ngjarjen e rëndë, pritet që në vijim AMP të marrë masa dhe të analizojë përgjegjësitë në të gjithë zinxhirin komandues të Policisë së Korçës. Vrasja e një efektivi policie gjatë një operacioni arrestimi ka ngritur pikëpyetje të forta mbi planifikimin, vlerësimin e riskut dhe mënyrën se si u menaxhua ndërhyrja ndaj një prej personave më problematikë dhe më të kërkuar të zonës. (A2 Televizion)