U dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e babait, reagon avokatja e Hysen Metës: Ka qenë i tronditur psiqikisht

Nga A2 CNN
23 Tetor 2025, 11:41 | Kronikë

U dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e babait,

Gjykata e Durrësit dënoi me burgim të përjetshëm Hysen Metën, i cili akuzohet se ka vrarë babain e tij, Pëllumb Metën.

Avokatja Shqiponja Meta, pas seancës, deklaroi se ky vendim do të apelohet.

“Nuk mund të shprehemi për vendimin e gjykatës, por gjëja e vetme që do të bëjmë është ankimi në Gjykatën e Apelit në Tiranë. Sidomos sa i përket burgimit të përjetshëm të të pandehurit Hysen Meta, pasi mendoj që mund të kishte masë më të butë dënimi. Dhe për dënimin e Amarildo Metës, i cili u dënua me maksimumin e dispozitës për fshehje të kufomës, me 5 vite”, u shpreh avokatja.

Vajza, Hygerta Meta, u dënua me 8 vite burgim, Amarildo Meta u dënua me 5 vite, ndërsa e ëma, Blerina Meta, është dënuar me 3 vite. 49-vjeçari Pëllumb Meta u vra dhe u gropos nga fëmijët e tij. Ngjarja e rëndë u zbulua në Shënavlash në Durrës, më 10 shkurt të vitit 2024.

Sipas avokates, përgjegjësi nuk mund të mbajë një familje e tërë.

“Përgjegjësi duhet të mbajë, për aq sa ka bërë, ai që e ka kryer krimin. Nuk mund të mbajë përgjegjësi një familje e tërë. Burgimi i përjetshëm ka kushte për t’u ankimuar. Ai është vetëm 24 vjeç, e ka kryer krimin në kushtet e një dhune verbale që nga dita kur ka lindur. Ka qenë i tronditur psiqikisht në momentin kur ka kryer krimin. Dhuna e vazhdueshme ka degjeneruar në një debat dhe nuk ka qenë krim i paramenduar”, deklaroi avokatja.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos