“Unë shkoja vetë në operacione të vështira”, Havari për vrasjen e policit në Maliq: Janë të papërgatitur

Nga A2 CNN
4 Qershor 2026, 21:40 | Kronikë

Ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, Mit’hat Havari, ka komentuar operacionin e zhvilluar në Maliq të Korçës, ku 43-vjeçari Violand Braçellari dyshohet se vrau efektivin e policisë Enea Mekolli dhe plagosi kolegun e tij, Edison Adri. Sipas Havarit, ngjarja nxori në pah probleme serioze të organizimit dhe profesionalizmit në radhët e Policisë së Shtetit.

I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN, Havari tha se në raste të tilla drejtuesit lokalë të policisë duhet të jenë në terren dhe të marrin personalisht drejtimin e operacioneve me rrezikshmëri të lartë.

Ai u shpreh se gjatë karrierës së tij ka qenë vetë pjesë e operacioneve të vështira dhe nuk i ka drejtuar ato nga zyra, duke theksuar se ngjarja në Maliq tregon mungesë përgatitjeje dhe koordinimi.

 “Unë nuk heq dorë nga eksperienca ime, që kur kam pasur nga këto lloj ngjarjesh kam shkuar vetë. Situata në Policinë e Shtetit s’është e mirë fare. Z. Hita që është emëruar, kam marrë informacione që është djalë i ndershëm dhe i zoti, e tregoi edhe në Sarandë këtu, ku i goditi, se kishte kaq kohë edhe Saranda...Por prandaj është drejtor qarku ai, këta s’e dinë rëndësinë e pozicionit të tyre, drejtori i Policisë së Shtetit ka ndoshta probleme më të rëndësishme ku mund të operojë, ndërhyjë, rekomandojë detyra. Por ky është një rast ku edhe mund ta vënë në dijeni, ha diskutim. Kjo është detyrë kryesore e drejtorit të Policisë në Korçë. Maliqi është fshat me disa policë të papërgatitur. Është mungesë profesionalizmi total veprimi që kanë bërë. U nisën 40 dhe përfunduan 6! Drejtori i Policisë së Korçë duhet të kishte vendosur vetë uniformën e punës. Nuk bëhen operacione natën, bëhen duke u gdhirë që të shohin njëri-tjetrin. Me njerëzit e tij ai vet e realizonte, s’kishte nevojë për RENEA-n. Unë shkova vet e nxora nga banesa atë në Bathore. Në këtë rast s’kemi të bëjmë me njëri të zakonshëm. Me ata ka luftë, s’ka që të shëtisë ai i lirë. Drejtori i Policisë Korçë t’i dalë zot detyrës, s’mund të rri në zyrë ai, ndërkohë që dërgon 6 policë fakira atje, s’janë as të përgatitur fizikisht”, tha Havari. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos