
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dënuar me 7 vite e 4 muaj burg shtetasin Erio Zejno, i akuzuar për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal dhe sigurimin e kushteve për kryerjen e vrasjeve.
Vendimi u shpall këtë të enjte, pasi gjykata e gjeti fajtor Zejnon për veprat penale të “Sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve” si dhe “Pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal”, shkruan A2CNN.
Fillimisht, GJKKO caktoi ndaj tij një dënim total prej 11 vitesh burg. Megjithatë, duke qenë se çështja u shqyrtua me procedurën e gjykimit të shkurtuar, Zejno përfitoi uljen e një të tretës së dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 7 vite e 4 muaj heqje lirie.
Sipas dosjes hetimore të SPAK, Erio Zejno akuzohej se kishte siguruar kushtet dhe mjetet materiale për realizimin e një atentati ndaj Ervis Matodashajt dhe Inez Hajrullës.
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme e lidhin Zejnon me veprimtari kriminale të organizuar, ndërsa vendimi i GJKKO-së vjen në kuadër të goditjes së grupeve kriminale dhe personave të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale. (A2 Televizion)