Zbardhet dëshmia e biznesmenit, Gjoka sfidon SPAK: Më gjeni një provë dhe pranoj akuzat

Nga Armand Bajrami
4 Qershor 2026, 19:32 | Kronikë

Biznesmeni Pëllumb Gjoka foli për herë të parë publikisht të enjten për akuzat e ngritura nga SPAK ndaj tij. Në një nga fraksionet e dosjes “Metamorfoza” në Gjykatën e Posaçme, ku gjykohet me kohë të shkurtuar, Gjoka, mohoi kategorikisht çdo akuzë të ngritur.

Ai tha se po qëndronte prej tre vitesh në burg, pa asnjë provë, por vetëm mbi thashetheme. “Unë de facto jam dënuar, i tha Gjoka treshes gjykuese, se më është bërë një gjyq publik. Çfarë nuk kam dëgjuar për veten time. Më kanë akuzuar për trafik, për vrasje, çfarë epitetesh nuk kam dëgjuar”. Duke iu referuar prokurorit në sallë, Gjoka tha se “këta po i detyrojnë njerëzit të bëhen kriminelë”.

Prokurorët e dinë që janë gabim, vijoi ai, por vazhdojnë të mendojnë të njëjtën gjë. Në hasmëri më kanë futur, ekonominë ma kanë bllokuar”. I pandehuri Gjoka tha se nuk kishte qenë asnjëherë përdorues i aplikacionit SKY. Ta zëmë një moment, se kam qenë, tha ai, po si është bërë identifikimi, nuk ka asnjë provë shkencore.

Në vijim, Gjoka mohoi çdo akuzë që e lidh emrin e tij me vrasjen e Gjin Ndojit, me korrupsionin në sistemin e drejtësisë, apo me përgatitjen e kushteve për vrasjen e Genci Tafilit, Ibrahim Liccit, Dorian Dulit e Kleanthi Musabelli, e po ashtu të armëmbajtjes pa leje.

Për grupin kriminal, tha Gjoka, nëse kam qenë, më thoni të di me kë kam qenë". I pandehuri sfidoi prokurorët e SPAK të gjenin një komunikim mes kodit që e kanë identifikuar si të tijin dhe kodeve SKY të pretenduara si të përdorura nga Behar Bajri e Ervis Martinaj, ku të fliste për ngjarje kriminale.

Nëse ka një bisedë të tillë, unë pranoj çdo lloj akuzë”, tha Gjoka. Më herët në këtë gjykim, SPAK ka deklarimin fajtor të Gjokës dhe dënimin e tij me 14 vite burg. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos