
Erion Veliaj në Gjykatën Kushtetuese, aty ku po shqyrtohet ankimimi për shkarkimin e tij si të ligjshëm apo jo nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës, është shprehur se me një prej prokurorëve të SPAK që po e heton është në konflikt interesi, pasi i ka kërkuar leje ndërtimi.
Veliaj shkoi edhe më tej duke thënë se nëse do të ishte zhvilluar një dëgjesë me Këshillin e Ministrave, ai do të kishte treguar me prova sesi kryetarëve të bashkive u bëhet presion nga prokurorët e posaçëm për të futur pjesëtarë të fisit të tyre në punë.
“Nëse do t’ju thoja se jam në konflikt të hapur interesi me një prokuror që ka pasur debate për leje ndërtimi, ndoshta nuk do ishin kaq të nxituar po do thoshit prit pak, ndoshta po ndërhyhet me ligjin për konfliktin e interesit, ku një kryetar bashkie nuk mund të hetohet nga një prokuror kur kanë konflikt të hapur interesi. Nëse do ju thosha për shembull që jam këtu për një njeri që s’ekziston, prej një Nesti Angoni, ndoshta Këshilli i Ministrave do më dëgjonte dhe do thoshte sa Nesti Angoni mund të dalin dhe të thurin lloj, lloj intrigash për ne. Nëse do t’ju tregoja këto Këshilli i Ministrave mund të thoshte kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për të nisur një nismë ligjore për të mbrojtur kryetarët e bashkive. Por, po t’ju thosha që shumica e kryetarëve të bashkive janë në presion konstant për të futur gjithë fisin e disa prokurorëve të posaçëm në punë. Dhe nëse do t’jua provoja se kjo është e vërtetë në Bashkinë e Tiranës, ju do shqetësoheshit. Se do thoshit si janë të pambrojtur këta njerëz, ju kërkojnë prokurorët e posaçëm leje ndërtimi, ju kërkojnë të fusin në punë gjithë fisin dhe kur nuk jua bëjnë i thonë avokatit të kryetarit të bashkisë: ‘Ja tregoj unë atij’. Ndaj them se dëgjesa do na mundësonte të flisnim pak dhe të dëgjonim historitë pse unë jam në burg, dhe të mos u lejohet monopoli që dikush ka për të shkatërruar jetën ti mbivendoset monopolit të gjykatës për të dhënë drejtësi”, tha Veliaj. (A2 Televizion)
