Një 23-vjeçar ka përfunduar në prangat e policisë, pasi është zbuluar se është ai autori i vjedhjes së një çeku me vlerë 10.000 euro në subjektin ku ishte i punësuar.
Policia po ashtu ka shpallur në kërkim 2 bashkëpunëtorët e të riut dhe po punon për kapjen e tyre.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas kallëzimit të depozituar nga pronari i një subjekti, se i kishin vjedhur një çek me vlerën 10 000 euro në subjektin e tij, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, menjëherë kanë organizuar punën në kuadër të operacionit policor të koduar "Çeku", për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua shtetasi L. Sh., 23 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit K. L., 24 vjeç dhe A. L., 24 vjeç, të dy banues në Shkodër. Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi L. Sh. ka vjedhur duke shpërdoruar detyrën, në subjektin ku ishte punësuar si kasier, një çek me vlerën 10 000 euro, të cilin më pas ua ka dhënë 2 shtetasve që janë shpallur në kërkim.” (A2 Televizion)