Vrasja e adoleshentit, trondit mbarë shoqërinë, shkolla "Fan Noli" në zi

Nga Ornela Joti
19 Nëntor 2024, 18:49 | Kronikë

Nuk ishte një martë e zakonshme mësimi, por një ditë shoku për mbarë opinionin publik. Vrasja e nxënësit 14-vjeçar, Martin Cani, nga bashkëmoshatari i tij, nga e njëjta shkollë, ka tronditur mbarë nxënësit, prindërit dhe mësuesit.

Para shkollës "Fan Noli" janë ende njollat e gjakut të 14-vjeçarit që humbi jetën në spital nga plagët e marra me thikë. Shokët dhe moshatarët e tij nuk mund të harrojnë skenën para shkollës, teksa largoheshin për në shtëpi, ndërsa shoku i tyre iku përgjithmonë nga kjo botë, shkruan A2.

Nuk pranojnë të flasin për autorin e ngjarjes, por tregojnë me bindje se viktima, miku i tyre, nuk ishte problematik. Madje ata thonë se ai bullizohej vazhdimisht. Fotot e Martinit, lulet dhe qirinjtë ishin vendosur në vendin ku ndodhi konflikti që i parapriu ngjarjes së rëndë.

Edhe në shkollë, miqtë e tij hynin me buqeta me lule. Mësimi tek "Fan Noli" u zhvillua vetëm në ciklin fillor, por me pjesëmarrje të ulët dhe të shoqëruar gjithë kohën nga prindërit. Lajmi i vrasjes së nxënësit 14-vjeçar, disa metra larg shkollës, ka tronditur çdo familje. Banorë të kryeqytetit, veçanërisht gjyshër e prindër, kërkojnë rend dhe siguri për fëmijët e tyre.

Ekspertët flasin për përgjegjësitë e ngjarjes, shoqërinë së pari, shkollën dhe familjen me modelin e saj. Psikologu Edmond Dragoti këshillon kujdes të veçantë për adoleshentët, të cilët duhet të monitorohen për sjelljen e tyre, por edhe për shoqëritë virtuale.

Vrasja e nxënësit 14-vjeçar i dha një goditje edhe sistemit arsimor. Ajo dëshmoi edhe një herë se realiteti pranë shkollave tona është larg reklamave të ministrisë dhe bashkive në aktivitetet me regjistrime. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos