Vrau dy vëllezër në Patos dhe gruan e tij në Belgjikë, Sokol Hoxha kapet në SHBA pas 30 vitesh në arrati

Nga A2 CNN
19 Maj 2026, 09:47 | Kronikë

Vrau dy vëllezër në Patos dhe gruan e tij në Belgjikë,

Policia e Shtetit ka njoftuar se është arrestuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Sokol Hoxha, një shqiptar i kërkuar ndërkombëtarisht, pasi është dënuar për 3 vrasje të kryera vitin 1997. Hoxha u arrestua në Ohio, shkruan A2 CNN.

“Si rezultat i bashkëpunimit ndërkombëtar policor ndërmjet hetuesve nga Njësia Speciale Policore e Departamentit të Policisë Kriminale (e njohur si “Njësia e përbashkët e shërbimeve investiguese”, e cila punon ngushtë me Njësitë e Hetimeve Ndërkombëtare Kriminale DSS/OCIU në Ambasadën Amerikane në Tiranë), Drejtorisë së Interpolit në Policinë e Shtetit, homologëve të tyre në Uashington, Mançester dhe Bruksel, Marshallëve Amerikanë dhe agjencive të tjera të zbatimit të ligjit në SHBA, në kuadër të operacionit të koduar “Globi", u arrestua në Ohio, shtetasi shqiptar i kërkuar që prej vitit 1997: Sokol Hoxha, 51 vjeç, lindur në Fier”, tha policia.

“Ky shtetas, në vitin 2000, është dënuar nga Gjykata e Fierit, me 25 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja”, kryer në bashkëpunim, pasi më datë 30.03.1997, në Patos, Fier, në bashkëpunim me shtetasin D. S., ka vrarë me armë zjarri, shtetasit H. B. dhe I. B. (vëllezër), për motive të dobëta. Gjithashtu, në vitin 2010, është dënuar nga Gjykata e Brukselit, Belgjikë, me burgim të përjetshëm, për veprën penale “Vrasja me dashje”, pasi më datë 29.08.1997, ka vrarë me armë zjarri, në Bruksel, një shtetase shqiptare, të cilën më parë e kishte shfrytëzuar për prostitucion”.

Sipas mediave britanike, 50-vjeçari u largua nga Europa pasi vrau gruan e tij 19-vjeçare në vitin 1997 në Belgjikë, sepse ajo refuzoi të bëhej prostitutë. Ai shkoi në Britani duke përdorur një identitet të rremë, duke mashtruar se ishte refugjat kosovar, gjë që i lejoi të kërkonte azil dhe përfundimisht të merrte shtetësinë britanike.

Një zëdhënës i Shërbimit të Marshallëve të SHBA-së tha: “Arrestimi i Hoxhës shënoi kulmin e një hetimi gjashtëvjeçar për të arratisurin, të udhëhequr nga Interpol Uashingtoni në koordinim me partnerë të shumtë të zbatimit të ligjit vendas dhe ndërkombëtar. Gjatë hetimit, autoritetet përcaktuan se Hoxha mori identitet të rremë pasi u largua nga Belgjika dhe më pas fitoi shtetësinë në një vend tjetër europian nën këtë pseudonim. Hoxha më vonë dyshohet se ka hyrë në SHBA dhe ka fituar statusin e banorit të përhershëm të ligjshëm, duke vazhduar të fshehë identitetin e tij të vërtetë”.

Gazeta The Telegraph raportoi se Britania e Madhe i kishte dhënë azil Hoxhës duke përdorur identitetin e tij të rremë. Ai kishte udhëtuar drejt SHBA-së në vitin 2012, duke përdorur pseudonimin për të mbajtur të fshehtë identitetin e tij të vërtetë edhe për 14 vite të tjera.

Zëdhënësi i Marshallëve deklaroi: “Rasti i Hoxhës shërben si një shembull i fuqishëm se si bashkëpunimi i vazhdueshëm ndërkombëtar i zbatimit të ligjit mund të kapërcejë kufijtë kombëtarë, sfidat ligjore dhe dekada të tëra shmangieje për të sjellë para drejtësisë një vrasës të dënuar, pas gati 30 vitesh në arrati. Ai gjithashtu përforcon një mesazh të qartë se SHBA-ja nuk do të shërbejë si një strehë e sigurt për emigrantët me precedentë penalë ose të arratisurit që marrin në mënyrë mashtruese statusin e imigracionit ose shtetësinë në një përpjekje për t'i shpëtuar përgjegjësisë për krime të rënda të kryera jashtë vendit”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos