
41-vjeçari Filip Shehu, i cili vrau me thikë 34-vjeçarin Indrit Ismaillari një ditë më parë në lokalin ku të dy punonin, ka qenë edhe më parë i dënuar për “posedim të armëve të ftohta”. Policia njoftoi se pas arrestimit të Shehut ka mundur të gjejë edhe thikën me të cilën dyshohet të jetë kryer krimi, përcjell A2 CNN.
“Në vijim të veprimeve procedurale të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur pasditen e djeshme, në Komunën e Parisit, ku shtetasi F. Sh. dyshohet se vrau me mjet prerës (thikë), shtetasin I. I., 36 vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në ambientet e lokalit ku punonin të dy, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit e Policisë Nr. 2 dhe me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kryen arrestimin në flagrancë të shtetasit F. Sh., 41 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Gjithashtu, gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, mjetin prerës (thikë), me të cilin dyshohet se shtetasi F. Sh. kreu vrasjen”, njoftoi policia.
Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se autori i dyshuar i vrasjes, shtetasi F. Sh., i cili u kap menjëherë pas krimit, ishte i dënuar më parë, për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Detaje nga ngjarja e rëndë
Gazetari i A2 CNN Igli Çelmeta raportoi se dy punonjësit e lokalit janë konfliktuar fillimisht verbalisht me njëri-tjetrin. Më pas 41-vjeçari Filip Shehu ka qëlluar me thikë 34-vjeçarin Indrit Ismaillari, i cili mbeti i plagosur rëndë, por ndërroi jetë rrugës për në spital.
Viktima dhe autori kanë qenë punonjës të një lokali te komuna e Parisit. Policia ka arrestuar autorin e kësaj ngjarjeje të rëndë.
A2 CNN mëson se në momentet e para kur ka mbërritur policia, autori nuk ka treguar që e ka qëlluar ai 34-vjeçarin. Kanë qenë punonjës të tjerë të lokalit që e kanë informuar policinë për ngjarjen e rëndë.
Shërbimet e policisë ndodhen në vendngjarje duke sekuestruar edhe kamerat e sigurisë. A2 CNN mëson se edhe viktima edhe autori ishin picierë. 34-vjeçari Indrit Ismaillari ishte shefi, kurse autori ndihmës.
A2 CNN ka siguruar edhe foto nga momenti i arrestimit të autorit të vrasjes me thikë te Komuna e Parisit. (A2 Televizion)
