Gazetari i A2CNN, Igli Çelmeta, ka treguar “skemën” e atentatit të së dielës në Lezhë, ku mbetën të vrarë në makinën e tyre një çift bashkëshortësh.
“Çifti i bashkëshortëve Kreshnik dhe Gentiana Mujeci, pasi kanë konsumuar një drekë në një nga lokalet e Lezhës, kanë qenë duke ikur drejt banesës së tyre. Në rrugën Balldre-Torovicë, aty ku banonte 39-vjeçari, njëri prej dy automjeteve i ka zënë pritë, i ka dalë automjetit Audi Q7 me të cilën udhëtonte viktima dhe bashkëshortja e tij. Dhe më pas është afruar një automjet tjetër pa targa, ku dy persona kanë zbritur nga ky automjet dhe me armë zjarri kallashnikov kanë qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të 39-vjeçarit dhe bashkëshortes së tij, duke i lënë të vdekur në vend. Për realizimin e këtij atentati kanë vepruar dy automete, madje e gjithë ngjarja është e filmuar. Në vendin e ngjarjes ka kamera sigurie të një banese private, por edhe të bizneseve private, të cilët kanë filmuar të gjithë momentin e atentatit të rëndë. Dy automjete kanë vepruar dhe dy autorë kanë pasur rolin e qitësave me armë zjarri për ekzekutimin e 39-vjeçarit Kreshnik Mujeci dhe bashkëshortes së tij”, tha Çelmeta në “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2CNN.
“Fatmirësisht, në vendin e ngjarjes nuk ka pasur kalimtarë të rastit, siç kemi parë rëndom në shumë ngjarje të rënda kriminale në vendin tonë, ku shumë herë njerëz të pafajshëm kanë rë pre e plumbave. Madje, në këtë atentat të mirëmenduar dhe të mirëorganizuar, pasi dyshohet se autorët e kësaj ngjarje kanë ndjekur gjatë gjithë ditës së sotme itinerarin e lëvizjes së 39-vjeçarit, kanë pritur momentin që ka ikur drejt rrugës për në banesën e tij dhe më pas i kanë zënë pritë dhe e kanë qëlluar me breshëri plumbash. Në vendin e ngjarjes policia ka sekuestruar mbi 30 gëzhoja. Pra, ka qenë një atentat i mirëfilltë, i mirëorganizuar me detaje nga atentatorët”, shtoi gazetari Igli Çelmeta.
Sipas tij, “Policia e Shtetit ka shkuar me vonesë” në vendngjarje.
“Pas ngjarjes së rëndë ka shkuar Policia e Shtetit. Theksoj, ka shkuar me vonesë, pasi trupi i viktimave ka qëndruar në automjet për 15 minuta dhe është dashur ndërhyrja e forcave zjarrfikëse për të nxjerrë nga automjeti trupat e pajetë të çiftit të bashkëshortëve, të cilët ishin prindër të katër fëmijëve dhe banonin në fshatin Koljakaj të njësisë administrative të Baldrenit. Më pas, policia ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, i cili është marrë me sekuestrimin e kamerave të sigurisë dhe janë këto prova më e fortë për hetuesit, pasi është filmuar i gjithë momenti. Automjeti është i bërë shoshë nga plumbat. Një makinë e autorëve i ka zënë pritë, i ka bllokuar rrugën, një makinë tjetër pa targa, dyshohet Alfa Romeo, është afruar dhe dy persona kanë qëlluar me breshëri plumbash. Ngjarje e cila ka ndodhur në mes të ditës rreth orës 14:45 minuta dhe është një këmbanë alarmi për sigurinë sidomos në qytetin e Lezhës”, u shpreh gazetari Çelmeta.
Në lidhje me pistat në të cilat po heton policia, gazetari Igli Çelmeta deklaroi: “Policia po heton disa pista. 39-vjeçari, i cili ishte objektiv atentati, është një personazh i njohur për drejtësinë dhe për Policinë e Shtetit, me precedent të mëparshëm kriminal. Në vitin 2016 është arrestuar së bashku me vëllanë e tij për vrasjen e Genc Mhillit në Shkodër, por më pas në vitin 2018, Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër e liroi dhe e shpalli të pafajshëm së bashku me vëllain e tij për mungesë provash, sipas pretendimit të gjykatës. Por, në vitin 2024 Gjykata e Lartë e ka rikthyer çështjen për rigjykim nga e para. Madje, pas ngjarjes së rëndë, Policia e Shtetit ka kryer kontrollin në banesat e fisit Mhilli, por nuk është gjetur asnjë provë që implikon fisin Mhillin me ngjarjen e sotme deri në këto momente. Gjithashtu, po hetohet pista kryesore e hakmarrjes, por po hetohen dhe pista të tjera të konflikteve të mundshme të 39-vjeçarit. Ishte një person problematik, konfliktual, kishte dhe konflikte të hapura dhe policia kishte skedën kriminale të tij për konfliktet e fundit. Madje, dyshohet për përfshirjen në aktivitete të paligjshme në fushën e narkotikëve dhe sipas informacioneve të deritanishme nga grupi hetimor po hetohen disa pista. Ajo që policia ka është fakti që ky person ishte një person me skedë kriminale në Policinë e Shtetit, me vepra të shumta penale, madje kishte dhe vepra penale të dhunës në familje. Në dhjetor të vitit 2025 prindërit e viktimës kishin bërë denoncim për dhunë në familje për 39-vjeçarin, edhe pse s'ka lidhje me ngjarjen”. (A2 Televizion)