Veprave të kinoregjisorit Endri Keko të cilat ruhen në Arkivin Qendror të Filmit, sot ju është shtuar edhe një vepër tjetër, por e shkruar. Në 100-vjetorin e lindjes së një prej themeluesve të shkollës së kinematografisë shqiptare është botuar ditari i skenaristit dhe regjisorit Endri Keko.
Shënimet dhe rrëfimet e kinoregjisorit janë sjellë në një libër voluminoz nga djali i tij, Ilir Keko, si një amanet tashmë i përmbushur.
Libri është promovuar në Akademinë e Shkencave mes të afërmeve, bashkëpunëtoreve të regjisorit dhe studiuesve. Bashkudhëtarë të tij vlerësuan punën dhe përkushtimin e Endri Kekos, si dhe rolin e tij për themelimin e shkollës së kinematografisë.
Endri Keko dhe bashkëshortja e tij, Xhanfize Keko, janë mjaft të dashur për publikun shqiptar dhe janë vlerësuar me titullin “Artist i Popullit”. Njëri si regjisor i filmit dokumentar duke sjellë në ekran jetën e shqiptarëve të thjeshtë, ndërsa Xhanfizja regjisorja e filmave për fëmijë. (A2 Televizion)