E dënuar gjatë komunizmit, rikthehet “Gisele” e mjeshtrit Agron Aliaj

Nga Luela Myftari
8 Shkurt 2024, 16:32 | Kulturë

Kanë kaluar më gati 35 vite që nga koha kur mjeshtri Agron Aliaj përgatiste baletin “Gisele” për skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit. Ndonëse në vitin 88 propaganda komuniste ishte zbutur, shfaqja atë kohë u komentua si një balet me tendenca perëndimore, tejet moderne për shoqërinë shqiptare.

Por, baleti si një rivënie e lëvizjeve të Agron Aliajt, mbërriti në TKOB, po aq aktual dhe modern. Historia e një dashurie të pamundur dhe ndjesitë universale, muzika por po aq edhe koreografia e profesor Agron Aliajt e bëjnë këtë balet të pavdekshëm sipas Giselit që ngjitet në skenë sot.

Ky produksion ndonëse rivënie në Teatrin e Operas dhe Baletit bën bashkë artistë shqiptarë e italianë. Dirigjentja e baletit Sabrina Bosco, po aq sa edhe dirigjentja e orkestrës Renata Russo janë bërë pjesë e ekipit që solli këtë balet artistë nga të dy vendet.

Edhe balet-maestro Alisa Gjoni ka bashkëpunuar këtë herë me një artist që duket i lumtur që rikthehet në Tiranë.

Nuk është hera e parë që vij në Tiranë. Besoj se kanë kaluar gati 10 vite që kur kam qenë për herë të parë. Atë kohë isha në skenë si interpret, sepse isha shumë më i ri, sot vij si balet-maestro. Por ashtu si vij unë më i rritur e shoh edhe teatrin të rijetëzuar. Më vjen mirë që skena është moderne dhe e bukur njëlloj si vepra për të cilën kemi punuar. Publiku e ka pritur mirë të gjitha netët që ka ardhur në teatër këtë rivënie të baletit. Është një koreografi e njohur ndoshta për publikun shqiptar, por shfaqja është rikonceptuar në detaje të tjera”, tha Carlos Montalvan, balet-maestro.

Gisele është ngjitur edhe në vitin 2018 për 85 vjetorin e Agron Aliajt, por në skenën teatrale të ArTurbinës, që nuk ishte ambienti më i përshtatshëm për një shfaqje baleti, ndaj këtë herë figurën e mjeshtrit Aliaj e nderuan në shtëpinë e vet, në Teatrin e Operas dhe Baletit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos