Aktori korçar, Marko Bitraku, lindi më 15 janar 1951. Sot ai do të mbushte 72 vjeç. Pas mbarimit të studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve (sot Universiteti i Arteve), në vitin 1974 filloi punën si aktor profesionist në Teatrin "Andon Zako Çajupi" të Korçës. Në skenën e këtij teatri do të interpretonte me dhjetëra role, të cilat do ta bënin të njohur për publikun artdashës.
Në vitin 2008, ai realizoi regjinë e monodramës "Velloja e bardhë" e Odise Plakut. Në kinematografi ka interpretuar mbi 13 role. Roli i tij i parë është në vitin 1977. Më tej, do të vazhdonin role të tjera, si ai i Komandantit të Xhandarëve në filmin "Mësonjëtorja" në vitin 1979, roli i Selmanit në filmin "Asgjë nuk harrohet" në vitin 1985, rolin e Samiut në filmin "I dashur armik" në vitin 2004 etj.
Interpretimi më i fundit i aktorit Marko Bitraku është në filmin "Kronikë Provinciale", në vitin 2009. Ai u nda nga jeta më 8 tetor 2015, në moshën 64-vjeçare pasi vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë. Tradita familjare e aktrimit në familjen Bitraku vazhdon edhe sot, pasi i biri i Markos është aktori Besmir Bitarku, që vazhdon më tej trashëgiminë e të atit. (A2 Televizion)