
Dy orë para nisjes së protestës së opozitës, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive. Përmes një statusi në rrjetet sociale, kreu i selisë blu e quajti 20 shkurtin “ditën e rrëzimit të diktatorëve” dhe akuzoi kryeministrin Rama se po përdor ligjin për të vjedhur qytetarët.
“20 Shkurti është dita e rrëzimit të diktatorëve! Edi Rama po përdor ligjin si mburojë për të na vjedhur! Të gjithë në shesh sot, ora 18:00!”, apeloi Berisha.
Më herët në një videomesazh të shpërndarë në rrjetet sociale edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, u ka bërë thirrje qytetarëve që data 20 shkurt të kthehet në një moment historik përmes pjesëmarrjes në protestë.
Ai ftoi qytetarët të dalin në orën 18:00 në shesh dhe të gjunjëzojnë qeverinë, duke theksuar: “Një thirrje për ta shndërruar këtë 20 shkurt në një moment historik. Gjunjëzojeni këtë qeveri përpara jush! Hiqjani Shqipërinë nga duart! Hiqjani nga duart të ardhmen tuaj! Hiqeni nga xhepat tuaj! Sot, ora 18:00”, u shpreh Noka.
(A2 Televizion)