
Kryetari i PD, Sali Berisha, tha se rihapja e çështjes së “21 Janarit” është bërë për shkak të një regjistrimi të manipuluar. Ai shtoi se nuk ka dijeni se çfarë mund të dijë Ilir Meta më shumë, pasi ish-presidenti ka kërkuar të merret në pyetje për atë çështje si person në dijeni.
“Mund të dijë se është normale sepse ju e dini se ajo ngjarje ka në bazë falsifikimin dhe aty fillon, falsifikimin, manipulimin e një regjistrimi të një ish-ministri, të ndjerit Dritan Prifti, i cili për hir të të vërtetës mendoi se mund të më bëjë presion, por unë i thashë sa të dalësh nga dera ime, bëje publike.
Ky jam, nuk mund të më marrë kush peng mua. Kështu që Ilir Meta mund të ketë gjëra për të sqaruar më shumë se unë në këtë drejtim. Ai e çoi regjistrimin në një institut italian shumë serioz dhe ata deklaruan se është 28 herë copy-paste, i manipuluar”, tha Berisha, përcjell A2 CNN. “E ka bërë Edi Rama me Filip Çakullin. Shpresoj të merren me seriozitetin më të madh për këtë çështje”. (A2 Televizion)