
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, në një reagim në rrjetet sociale deklaroi se "përdorimi i gazit lotsjellës të skaduar, është e papranueshme, është shkelje e hapur e ligjit dhe rrezik serioz për shëndetin publik".
"Dhuna policore ndaj protestuesve dhe përdorimi i gazit lotsjellës të skaduar, është e papranueshme, është shkelje e hapur e ligjit dhe rrezik serioz për shëndetin publik. Gaz lotsjellës i skaduar që u hodh sot në protestë mund të shkaktojë probleme të rënda me frymëmarrjen, djegie kimike, dëmtime të syve dhe pasoja afatgjata shëndetësore, sidomos për fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike. Këto nuk janë “efekte anësore”, por pasoja të rënda të një veprimi të ndaluar nga ligji", lexohet në postimin e Zhupës në rrjetet sociale.
"Ligji kërkon proporcionalitet, siguri dhe respekt për jetën dhe dinjitetin e qytetarëve. Asnjë uniformë i narkopolicisë, narkogardës nuk e justifikon abuzimin me detyrën, asnjë urdhër i narkoqeverisë nuk e justifikon rrezikimin e shëndetit të njerëzve. Protesta është e drejtë qytetare. Dhuna policore dhe kimikatet e skaduara janë abuzim me pushtetin dhe rrezik për jetën e qytetarëve", shtoi deputetja demokrate. (A2 Televizion)