34 kushte shtesë për integrimin, Bardhi: PD 3 nisma për integrimin, në Bruksel duhet të ishim të bashkuar

Nga A2 CNN
26 Maj 2026, 16:12 | Politikë

34 kushte shtesë për integrimin, Bardhi: PD 3 nisma për

Kreu i grupit te PD ka sulmuar Edi Ramën që ka përjashtuar opozitën nga procesi i negociatave, por pavarësisht kësaj demokratet do të depozitojnë një Kuvend 3 nisma që lidhen me themeloret, e para për shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike, dekriminalizimin e plote të shpifjes për gazetaret dhe nismën për kriminalizimin e pastrimit te parave si një vepër e posaçme në kodin penal.

“Sot është dita kur Shqipëria duhet të përfaqësohej e bashkuar në Bruksel. Dita kur qeveria dhe opozita duhet të qëndronin së bashku në një tryezë për t’i treguar Europës se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është mbi çdo interes partiak. Për fat të keq, kjo nuk ndodh.

Nën drejtimin e Edi Ramës, opozita dhe qytetarët nuk janë trajtuar kurrë si partnerë në një proces kombëtar, por si armiq që duhen përjashtuar. vetëm për Grupkapitullin “Themeloret”, grupi me të cilin hapen negociatat dhe nga i cili varet e gjithë mbyllja e negociatave, Bashkimi Europian i vendosi Shqipërisë në raportin e pak ditëve më parë 34 kushte. Për herë të parë, Bashkimi Europian ka kthyer në kushte zyrtare për mbylljen e negociatave çështje që lidhen drejtpërdrejt me mënyrën si qeveriset Shqipëria: korrupsionin masiv dhe vendimtar, imunitetin politik për korrupsionin, zgjedhjet me patronazhistë, dobësimin e kontrollit parlamentar, pastrimin e parave në ndërtim dhe pasuri të paluajtshme, mungesën e konkurrencës në tendera dhe koncesione. Partia Demokratike nuk do të humbasë kohë me retorikë boshe politike, por do të nisë përkthimin në akte konkrete të disa prej kushteve që Bashkimi Europian i ka vendosur Shqipërisë si pasojë e keqqeverisjes.

Për këtë arsye, ne do të depozitojmë në Parlament tre nisma konkrete, që kërkojnë votën e deputetëve.

Së pari, shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike. Së dyti, dekriminalizimin e plotë të shpifjes ndaj gazetarëve. Së treti, kriminalizimin e pastrimit të parave si vepër penale të veçantë në Kodin Penal”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos