Kryeministri Rama vazhdon replikën në distancë pas raportit të Reporterëve pa Kufij që zbritën Shqipërinë me 3 vende në klasifikimin e tyre sa i përket lirisë së medias.
Teksa ishte rrugës për Bruksel për të marrë pjesë në konferencën e 8 ndërqeveritare, ai i tregoi Reporterëve pa Kufij se duhet t’i marrin të dhënat sa i përket situatës së medias në Shqipëri në buletinin e gjeneruar përmes Inteligjencës Artificiale, nga një start-up shqiptar në një periudhë monitorimi prej 4 muajsh në 47 media të ndryshme.
Shpresoj të kënaqeni kur të mësoni se, sa i përket tezës së njohur të një mjedisi mediatik “të kapur”, sa më i madh bëhet kampioni, aq më e dobët shfaqet kjo tezë. Pjesa e zërit të opozitës arrin në 68.2%, ndërsa dukshmëria e qeverisë qëndron në 31.8%.
Më e habitshme është se, edhe brenda mediave që zakonisht etiketohen si proqeveritare, dukshmëria e opozitës mbetet më e lartë se vetë dukshmëria e qeverisë. Me linkun e raportit të hartuar nga Inteligjenca Artificiale, kryeministri fton Reporterët pa Kufij që ta marrin atë në konsideratë dhe i kërkon që të bashkëpunojnë me këtë buletin për të ardhmen. Për më tepër, kritika ndaj qeverisë e tejkalon mbulimin pozitiv me pothuajse pesë herë.
Përsëri, në një mjedis mediatik vërtet “të kapur”, asgjë nga këto nuk do të ekzistonte. Do të kthehem me kënaqësi me gjetje të tjera në të ardhmen, në frymën e respektit të ndërsjellë, bashkëpunimit konstruktiv dhe përkushtimit tonë të përbashkët ndaj atij destinacioni shpesh të pakapshëm, por gjithmonë të vlefshëm: Të Vërtetës.
Ndërsa mundohet të bindë Reporterët pa Kufij që nuk ka kapur mediat në Shqipëri, në raportin e IBAR të miratuar nga Këshilli i BE shkruhet gjithashtu për problemet me lirinë e medias dhe kërkohet miratimi i dispozitës së quajtur anti-SLAPP që pengon paditë e zyrtarëve ndaj gazetarëve. (A2 Televizion)