35 vite nga Lëvizja e Dhjetorit, Berisha: Rama armik i rinisë, gjenerata Z do ta rrëzojë nga pushteti

Nga Anesti Barjamemaj
8 Dhjetor 2025, 15:17 | Politikë

35 vite nga nisja e lëvizjes së Dhjetorit, protagonistët e asaj kohe, ish-studentët, demokratë dhe familjarë të Azem Hajdarit u bënë bashkë në vendin nga ku nisi revolta kundër sistemit komunist në Qytetin Studenti.

Për të kujtuar liderin e protestave të Dhjetorit, Azem Hajdarin, opozitarët vendosën kurora me lule në shtatorin e tij.

Pas homazheve ishte radha e fjalimeve, duke kujtuar ngjarjet e 35 viteve më parë.

Për kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berishën, protagonist i asaj kohe Shqipëria po përjeton edhe sot një diktaturë të dytë, ndaj një thirrje pati për rininë që të ngrihet në protesta për të larguar Edi Ramën.

“Sot përsëri në këtë udhëkryq në të cili ndodhet Shqipëria, shpresat e vetme për të përmbysur regjimin e Ramaduros është rinia shqiptare, është Gjenerata Z e saj, është ajo gjeneratë që këto dy vite ka bërë historinë e lirisë në botë. Gjenerata Z e të rinjve shqiptare, trashëgimtare e idealeve të rinisë studentore të dhjetorit 1990, do përmbushë misionin e saj”.

Për kryetarin e forumit rinor të Partisë Demokratike, Besart Xhaferrin, ka mbaruar koha e fjalëve dhe tashmë është koha vetëm për vepra.

“Boll më, duhet protestë, duhet grevë, duhet revoltë”.

Azem Hajdari, i biri i liderit të dhjetorit që mban edhe emrin e tij kërkon që të vritet frika, siç ndodhi edhe 35 vite më parë.

“Azemi nuk mendonte sot për sot, ishte njeri që mendonte afat. Nuk e kishte konceptin e frikës”.

Në këtë aktivitet morën pjesë edhe studentë të dhjetorit 1990, të cilët thanë se lëvizja e 35 vite më parë është një ngjarjet më të ndritura të historisë së Shqipërisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos