Luan Baçi, deputet i Partisë Demokratike, i ftuar në studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2CNN, komentoi takimet e Ervin Salianjit, të cilat i cilësoi si “jashtë strukturave të partisë”.
“A e përkrahin shumë (Ervin Salianjin), apo pak apo s'e përkrahin fare, kjo ha diskutim. Është çështje këndvështrimi. Përkrahja e demokratëve është për të gjithë eksponentët të Partisë Demokratike. Kushdo të zbresë nga ne eksponentët e Partisë Demokratike, deputetë të Partisë Demokratike, më tepër akoma anëtarë të Kryesisë së Partisë Demokratike, të rinj të Partisë Demokratike, të garantoj që do të kenë mbështetje, do të kenë popullaritet, do të kenë masivitet, do të kenë takime me shumë qytetarë dhe demokratë”, tha Baçi.
“Demokratët janë të etur dhe duan që ne të zbresim në bazë, të fillojmë me takime. Takimet janë dashur gjithmonë të bëhen, por Partia Demokratike është një parti e organizuar me një statut, ku vepron me Kryesi, me Këshill Kombëtar, me udhëzime të dala nga Partia Demokratike dhe nuk mund të dal unë tani nëse më teket, me të njohurit e mi që i kam të shumtë në Vlorë, dhe të bëj një takim në Vlorë në emër të PD-së. Patjetër që është takim jashtë strukturave të Partisë Demokratike. Kur themi jashtë strukturave të Partisë Demokratike, duhet të kuptojmë një gjë: nëqoftëse një takim bëhet në mënyrë të pavarur, në një zonë ku ti nuk e mbulon, nuk mund të shpalosësh mendimet e tua. Mendimet e mia unë i shpalos te Kryesia e PD-së, atje ku jam anëtar. Edhe zoti Salianji, të gjitha çfarë ka i thotë te Kryesia dhe ka folur te Kryesia”, shtoi deputeti demokrat.
(A2 Televizion)