Pedagogu Ermal Hasimja, në një lidhje direkte me studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2CNN, deklaroi se Ervin Salianji e ka vënë në lëvizje Partinë Demokratike me takimet e tij, por nuk përjashtoi mundësinë që ambiciet e ish-deputetit demokrat të jenë edhe më të mëdha.
“Ka pasur pak kënaqësi në raport me aksionin e opozitës, që ndoshta disa mendojnë që duhet të ishte shumë më i zëshëm, më energjik dhe mendoj që në këtë aspekt, po të shikosh çfarë ka ndodhur në këto 2-3 ditët e shkuara, tregon që efekti është pozitiv. E para, Partia Demokratike menjëherë u vu në lëvizje ndoshta për të parandaluar çfarëdolloj interpretimi ose keqinterpretimi të kësaj që po ndodh, duke u angazhuar në një proces analize dhe kjo ndodhi menjëherë pas këtij takimi të Salianjit, ndërkohë që mund të ishte bërë dhe shumë më herët. Dhe nga ana tjetër mendoj që në një farë mënyre e ka vënë edhe Partinë Demokratike në një proces më të ngutshëm, më të nxitur vetanalize, por edhe vetëreflektimi në raport me rolin që do duhet të luante në këtë kohë edhe në atë procesin e krijimit të një besueshmërie më të lartë në raport me opinionin publik, sepse për të rrëzuar Ramën nuk e rrëzon dot thjesht duke i treguar shqiptarëve që qeverisja Rama është e korruptuar”, tha Hasimja.
“Çështja është çfarë opsioni ke, çfarë alternative ofron ti, sa i besueshëm je ti, sa i besueshëm si ide, por dhe sa i besueshëm je edhe si burime njerëzore. Një pjesë e këtyre gjërave që po them ka qenë në fakt edhe në atë çfarë thoshte Salianji. Kështu që, pavarësisht a biem apo s'biem dakort me çështjen e Salianjit dhe këtë shkeljen e vogël të faktit që ai shkon dhe organizon një takim në Durrës, jashtë zonës së vet. Pavarësisht kësaj, efekti i parë duket pozitiv. E ka zgjuar në një farë mënyre PD-në, e ka vënë në një lloj gjendje gatishmërie ose aktiviteti. Tani duhet parë se si do të shkojë në të ardhmen. Mund të jetë patjetër edhe ai komponenti, që zoti Salianji të ketë ambicie më të mëdha për ta çuar dhe më tej këtë çështje, por për momentin këtë e ka mohuar”, shtoi Hasimja. (A2 Televizion)