I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli, ish zv Ministri i Brendshëm, Avenir Peka deklaroi se 4 nga 14 kandidatët për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit janë skualifikuar nga SPAK, duke i cilësuar si raste me “vijë të kuqe”.
“Katër nga 14 kandidatë nuk kualifikohen për shkak të lidhjeve me krimin. Vetëm kjo tregon sa e rëndë është situata”, u shpreh Peka, duke theksuar se një pjesë e tyre mbajnë aktualisht poste të larta në polici.
Ai shtoi se fakti që këta individë “marrin guximin dhe kandidojnë për drejtor të përgjithshëm” është një tregues tjetër i problemit të thellë brenda strukturave të sigurisë.
Sipas Pekës, përzgjedhja e drejtuesit të ri duhet të bazohet mbi profesionalizmin. “Kriteri profesional nuk është vetëm CV-ja. Është shumë më i gjerë se punët që ke pasur”, tha ai.
Në analizën e tij, ai vuri në dukje se lista përmban si kandidatë të pastër, ashtu edhe persona me lidhje të dyshuara me krimin e organizuar. Ai e përshkroi garën si një përballje mes dy grupeve, duke shtuar në mënyrë të tërthortë se disa kandidatë mbështeten nga krimi, ndërsa të tjerë jo.
Peka komentoi edhe praninë e diplomatëve të huaj në këtë proces, duke theksuar se kjo nuk lidhet me individë të veçantë, por me parimin që drejtuesi i ri “të jetë një person i pasponsorizuar nga krimi i organizuar”. (A2 Televizion)