
Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke iu përgjigjur kreut të grupit parlamentar, Taulant Balla, i cili gjatë një konference për mediat foli për mungesën e saj në seancën për votimin e imunitetit të Belinda Balluku.
Gjatë deklaratës së tij, Balla theksoi se vendimet nuk i merr i vetëm, por në bashkëpunim me grupin parlamentar. “Nuk i marr vetëm vendimet, i marr me grupin parlamentar. Që kështu do ta pyes dhe grupin parlamentar për këtë çështje”, u shpreh ai.
Në reagimin e saj, Spiropali shkruan: Taulant, e lexova me vonesë një deklaratë tënden publike.
Jam plotësisht dakord. Nëse çështja kërkon konsultim me grupin parlamentar, atëherë është pikërisht ajo që duhet bërë pa vonesë.
Thirre grupin dhe zhvillojmë një diskutim të plotë.
Vendimmarrja kolektive është forca e grupit të PS dhe garancia e legjitimitetit politik. Çdo qëndrim që del nga një diskutim i hapur, i troçtë dhe i ndërgjegjshëm, meriton respekt, pavarësisht drejtimit që merr.
Rëndësi ka që vendimi të jetë i menduar, i argumentuar dhe në përputhje me përgjegjësinë që kemi përballë publikut. (A2 Televizion)