
Kryetari i Komisionit për Çështjet e Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, u pyet nga gazetarja A2CNN Fjorela Beleshi nëse ka rezervuar një takim me kreun e PD Sali Berisha, në kuadër të axhendës që po zhvillon në Shqipëri.
McAllister tha se është takuar me tre përfaqësues nga Partia Demokratike, por jo me Sali Berishën. Ai u shpreh se fill pas konferencës për mediat me gazetarët do të niset drejt Aeroportit të Rinasit.
“Sot jemi takuar me tre udhëheqës të PD, Gazment Bardhi, Jorida Tabaku dhe Albana Vokshi. Sa i takon Berishës, nuk do takohem me të sot, pas takimit me ju do shkoj direkt në aeroport”, u përgjigj McAllister për A2CNN.
Më herët McAllister u shpreh i shqetësuar për polarizimin politik në Shqipëri, duke kërkuar dialog mes palëve, ndërsa tha se “protestat e dhunshme nuk kanë vend në një demokraci funksionale”. (A2 Televizion)