Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi, i ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN, u pyet nëse mazhoranca socialiste do t’ia japë qeverinë teknike opozitës.
Klosi tha se nuk ka asnjë arsye për të negociuar me opozitën, që sipas tij bën protesta duke goditur me molotov forcat e rendit dhe gazetarët.
“Qeverinë teknike do ta marrin meqë do të protestojnë në 20 shkurt apo për arsye të tjera?!
Meqë do protestojnë më 20 shkurt nuk ka asnjë arsye që ne të negociojmë me ata.
Unë s’jam kundër protestës, protesta është një e drejtë demokratike, por ajo që bënë pardje me djegien dhe hedhjen e flakës mbi policët, mbi gazetarët e pambrojtur", tha ai në Off The Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Ai akuzoi organizatorët e protestës për krijimin e grupeve të maskuara që, sipas tij, hodhën molotovë dhe mjete të tjera shpërthyese ndaj forcave të rendit.
"... aty ishte krijimi i një grupimi mercenarësh, të maskuar, të cilët nuk bënë vetëm pjesën e fishekzjarreve, por hodhën molotov, hodhën bomba të krijuara as molotov klasik.
Ne asnjëherë s’e kemi bërë që të godasim policët me flakë, apo të godasim gazetarët me zjarr, dhe asnjëherë s’kemi rrezikuar jetën e policisë dhe atyre që ruanin rendit.
Duhet të distancohemi të gjithë nga këto vepra që s’kanë lidhje fare me protestën dhe të drejtën për të protestuar”, tha Klosi në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN. (A2 Televizion)