I ftuar ne emisionin Puls të gazetares Bruna Çifligu, ish-deputeti Aleksandër Biberaj u shpreh që duhet të bëhet një hapje brenda PD-së, ku të ketë një përfaqësim me nivel më të lartë në këshillin kombëtar edhe në kryesi. I pyetur në lidhje me rikandidimin e Sali Berishës për kryetar ai tha: “Mbetet në vullnetin e zotit Berisha për të kandiduar ose jo. Unë mendoj që mund të ketë edhe kandidatë të tjerë”.
Ai gjithashtu vlerësoi që udhëheqja e partisë demokratike përgjatë viteve të fundit nga zoti Berisha ka qenë e “jashtëzakonshme”, sidomos në kushtet kur sipas tij, Edi Rama ka investuar shumë për të shkatërruar Partinë Demokratike.
I pyetur në lidhje me mundësinë që ka një kandidat tjetër përballë Berishës në garën për kreun e PD, Biberaj u përgjigj: “Është e vështirë të fitosh përballë doktor Berishës në Partinë Demokratike, por nëse ka aspirant, le të kandidojnë. Unë kam qenë dhe mbetem për rotacion elitash”.
Në lidhje me mundësinë që ai vet të jetë një ndër kandidatët potencialë për kreun e PD-së, ai mbajti një qëndrim neutral. “Nuk është se e kam menduar ose të kem marrë ndonjë vendim. Kemi kohë sepse tani kemi një betejë më të madhe”, dhe me këtë ai nënkupton jo betejën brenda partisë, por atë kundër qeverisë. (A2 Televizion)