
A2 CNN ka siguruar raportin final të IBAR, të miratuar në nivelin e COELA-s, i cili pritet t’u kalojë nesër ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian për shqyrtim dhe vendimmarrje të mëtejshme.
Dokumenti krahason draftin fillestar të Komisionit Europian të 26 shkurtit 2026 me versionin kompromis të Presidencës së BE-së të 21 majit 2026, duke identifikuar 32 ndryshime substanciale në 11 fusha kryesore.
Raporti i majit kalon drejt një qasjeje më të fortë kushtëzuese ndaj Shqipërisë, me kërkesa më specifike dhe kritika më të drejtpërdrejta.
Një nga ndryshimet më të forta lidhet me SPAK-un, i cili për herë të parë përmendet nominalisht si institucion nën presion.
Në dokument, BE shpreh shqetësim për “përpjekjet e shtuara dhe shqetësuese”, përfshirë nga nivele të larta politike, për të ushtruar ndikim ndaj institucioneve të drejtësisë, duke përmendur drejtpërdrejt SPAK, shkruan A2CNN.
Gjithashtu në raport përmenden për herë të parë edhe “rrjetet e patronazhit”, të cilat BE i konsideron problem për barazinë në zgjedhje dhe administrimin shtetëror.
Dokumenti i ri shton gjithashtu kërkesa konkrete për:
zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese;
respektimin e standardeve të Komisionit të Venecias për imunitetin;
mbrojtjen e SPAK nga ndërhyrjet politike;
garantimin e autonomisë së pushtetit vendor;
mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare;
transparencën e ndërmarrjeve shtetërore dhe luftën ndaj korrupsionit në sektorin e ndërtimit dhe pronave.
Brukseli ka konfirmuar zyrtarisht për gazetaren e A2 CNN, Fjorela Beleshi se drafti i qëndrimit të përbashkët të BE-së (EUCP), bazuar në IBAR, është miratuar në COELA pa asnjë kundërshtim nga shtetet anëtare. (A2 Televizion)