“Agasi pjesë e eskortës së Ramës”, Berisha nxjerr pamjet: Ka marrë gjobë pranë banesës së kryeministrit

Nga Anesti Barjamemaj
24 Dhjetor 2025, 15:32 | Politikë

“Agasi pjesë e eskortës së Ramës”, Berisha

Ergys Agasi ka lëvizur me eskortën e Kryeministrit Edi Rama. Kjo është akuza e re që Sali Berisha artikuloi pas hetimeve të nisura nga SPAK për atë që njihet si dosja e AKSHI-t. Në një konferencë për mediat teksa publikoi edhe pamjet, Berisha tha se Agasi ka lëvizur me eskortën e Ramës për t’u mbrojtur.

Lideri demokrat publikoi edhe këtë foto, që sipas tij tregon se makina e Agasit ka qenë pranë banesës së Kryeministrit në Surrel, ku dhe është gjobitur nga policia.

“Intim Agasi, kjo është eskorta e Edi Ramës, pas tij shkon Intim Agasi, ja kjo është Range Rover i Intim Agasit, brenda në eskortën e Edi Ramës. E merr me vete ai, e keni parasysh ju. Në eskortën e kryeministrit udhëton, i mbrojtur, i rrethuar, Intim Agasi”.

Ramën e akuzon se po i shpall luftë drejtësisë duke mos hequr imunitetin e numrit dy të qeverisë, Belinda Ballukun.

“Ai del haptas kundër heqjes së imuniteteve dhe arrestimit të kriminelëve, të kryetarëve të organizatave kriminale, Lubi Balluku është me të gjithë të dhënat e veta kryetare e një organizate të strukturuar kriminale”.

Kreu i qeverisë po u bën presion edhe gjykatësve kushtetues që të votojnë në favor të tij, pohoi Berisha, duke shtuar se Rama ka frikë nga heqja e imunitetit të Ballukut pasi nëse ndodhë kjo gjë rrezikon edhe ai vetë.

“Dy burra, gjykatës skllevër të pushtetit u deklaronin miqve të tyre në mënyrë të pavarur, se ne e kuptojmë se Edi Rama ka marrë fund, por prapë na bëjnë presion të jashtëzakonshëm për të votuar për të në datën 18. Ndaj dhe nuk kam asnjë lloj mëdyshje, që ia nuk do të heq imunitet, sepse të parin imunitet që heq, do detyrohet të heq të dytin të vetin dhe ai nuk e bën”.

Shpresën e shikon vetëm te protesta. Pas asaj që e quan provë gjenerale, tubimin e 22 Dhjetorit, për Berishën tashmë ka ardhur koha për protesta të qëndrueshme.

“Prova u bë, revolta u dëshmua. Por kjo duhet të jetë e qëndrueshme. Bulevardi duhet të jetë i qytetarëve. Sheshi duhet të jetë i qytetarëve. Jo një ditë, dy apo tre, por aq kohë sa duhet për ta larguar”.

Pavarësisht se përsëriti disa herë se duhet revoltë dhe protestë e qëndrueshme, sërish nuk tregoi se kur do të jetë akti i radhës i opozitës, para apo pas festave të fundvitit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos