Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, tha se Adriatik Lapaj dhe lëvizja e tij duhet të bashkohet me opozitën, për të arritur rrëzimin e Edi Ramës, që sipas tij është çështje kohe.
“Zoti Lapaj është në një moshë politike ku duhet të mësojë shumë nga politika, nga të qenit në opozitë, dhe duhet ta dijë shumë mirë se është qëllimi ai që bashkon opozitën, është qëllimi që bashkon qytetarët dhe është qëllimi ai që nxjerr fitues, nëse përqendrohesh tek ai. Nëse ti përpiqesh ta atakosh qëllimin, gjoja duke e përkrahur, por në një regjistër më të lartë sesa e lejon “kostumi politik”, nuk është se e favorizon qëllimin, përkundrazi, e dëmton. Kjo e dëmton edhe vetë zotin Lapaj”, tha Boçi në “Off the Record nga Andrea Danglli në A2 CNN.
Boçi sqaroi se Lapajt dhe forcave të tjera opozitare iu është bërë ftesë disa herë, me qëllim që të ndërtohet një front opozitar për të arritur objektivin.
“Kush ka instinkt politik e duhet ta kuptojë që Rama është drejt rënies. Koha e rënies ka një element kohor të vogël, por vendimtar. Mënyra e sjelljes së zotit Lapaj duhet të jetë në sinkron me mënyrën se si vepron opozita. Zoti Lapaj nuk humbet asgjë nëse shfaqet si një njeri që vërtet dëshiron dhe kërkon të bëjë betejën e tij qytetare. Përkundrazi, kjo betejë është vlerësuar. E ka vlerësuar edhe zoti Berisha duke u rreshtuar në frontin qytetar. Unë nuk i jap mësime zotit Lapaj, por qytetarët ia kanë dhënë mësimin. I kanë thënë: “Hajde me ne, sepse shumica është këtu”. Dhe një politikan që nuk di të lexojë qytetarin, unë nuk besoj se ka autoritetin të japë mësime vetë”, shtoi Boçi. (A2 Televizion)