FMN vlerëson rritjen ekonomike të Shqipërisë, kritika për “Paqen Fiskale”: Shqetësuese mbetet rënia e popullsisë

Nga Marjo Brakaj
24 Dhjetor 2025, 11:55 | Politikë

FMN vlerëson rritjen ekonomike të Shqipërisë, kritika

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar raportin për Shqipërinë në vijim të misionit të mbajtur në nëntor. Në raport FMN evidenton se rritja ekonomike e Shqipërisë vlerësohet nga me të fortat në Evropë e ndikuar në se shumti nga turizmi.

"Pas një mesatareje prej 4.3 për qind në periudhën pas pandemisë, PBB-ja reale parashikohet të rritet me 3.5 për qind në vitin 2025, kryesisht e nxitur nga konsumi privat, dhe 3.6 për qind në vitin 2026, duke reflektuar një përshpejtim modest të rritjes në partnerët kryesorë tregtarë të zonës së euros. Efektet direkte nga tarifat e SHBA-së janë minimale, ndërsa efektet indirekte nga masat tregtare globale dhe pasiguria gjithashtu duken të kufizuara deri më tani. Pavarësisht njëfarë moderimi, turizmi vazhdon të ofrojë mbështetje të qëndrueshme për prodhimin ekonomik", evidenton FMN, përcjell A2 CNN.

Pasiguritë ekonomike vijojnë thotë FMN të ndikuar kryesisht nga faktorë të jashtëm, si tensionet gjeopolitike. "Tensionet gjeopolitike, përshkallëzimi i masave tregtare, paqëndrueshmëria e çmimeve të mallrave dhe pasiguria e zgjatur mund të ndikojnë te partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë dhe të dobësojnë kërkesën e jashtme. Paqëndrueshmëria e tregut financiar global dhe korrigjimet e çmimeve të aseteve mund të zvogëlojnë kërkesën për borxhin sovran të Shqipërisë dhe mund të çojnë në rreziqe të rifinancimit", thotë FMN.

Shqetësuese për Shqipërinë thotë FMN është rënia e popullsisë. "Brenda vendit, një rënie më e theksuar se sa pritej e popullsisë në moshë pune mund të përkeqësojë mungesat e fuqisë punëtore, të nxisë inflacionin, të kërkojë një qëndrim më të shtrënguar të politikës monetare dhe të dobësojë perspektivat e rritjes", thotë FMN.

Sfidë për vendin është edhe rritja e të ardhurave për frymë, pasi pavarësisht progresit Shqipëria vlerësohet si ekonomi me produktivitet të ulët.  "Produktiviteti mbetet i ulët, me të ardhura për frymë në vetëm një të tretën e nivelit të BE-së, dhe boshllëqet në reforma në kapitalin njerëzor, qeverisjen dhe rregullimin e biznesit janë të gjera", vlerëson FMN.

Në aspektin fiskal, Fondi Monetar Ndërkombëtar vijon të jetë kritik për Paqen Fiskale. "Marrëveshja e "Paqes Fiskale", e cila ofron anulimin e borxhit dhe rivlerësimin preferencial të pasqyrave financiare, rrezikon të minojë progresin e mëparshëm në administrimin dhe pajtueshmërinë tatimore", thotë FMN, e cila i qëndron kritikave të bëra edhe në nëntor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos