Akuzat ndaj ministrit Hoxha, reagon ish-ambasadori: Mund të jenë keqinterpretuar, po fryhen politikisht

Nga A2 CNN
26 Prill 2026, 15:36 | Politikë

Debati mbi deklaratat e ministrit të Jashtëm Ferit Hoxha, i cili ka sjellë reagime të shumta nga politika për shkak të publikimit një mesazhi në WhatsApp, ku ministri dyshohet se u është referuar shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut si “idiotë”, janë bërë pjesë e bisedës në A2 CNN. Në studion e Ditarit të fundjavës me Indrit Marakun në A2 CNN, ish-ambasadori i Maqedonisë së Veriut, Arsim Zekolli u shpreh skeptik mbi deklaratat dhe tha se mund të keqinterpretohen.

“Përdoret një fjalë e cila është në komunikim privat nëse ka ndodhur ashtu dhe jam skeptik. Pse jam skeptik? Pasi e njoh kam pasur rastin të bisedoj atëherë me ambasadorin, tani ministrin në fjalë dhe më bëri përshtypje si një njeri i cili e ka humorin e vet, e ka inteligjencën, patjetër e ka shkathtësinë ekzemplare diplomatike edhe kjo nuk është çështje e vlerësimit tim personal si diplomat apo si njeri por është vlerësimi i karrierës së tij nga New York deri në Bruksel”, tha Zekolli në A2 CNN.

Sipas tij, edhe nëse një fjalë e tillë është përdorur, ajo mund të jetë thënë në mënyrë informale dhe jo me qëllim fyes. Ai shtoi se shpesh debatet politike në rajon priren të amplifikojnë deklarata të izoluara, duke i kthyer në polemika të mëdha publike.

“Nëse dikush më thotë mua se kam flokët e gjata, do qesh, por nëse dikush më thotë tullac, kam përzgjedhjen të ofendohem apo të qesh, por është e vërteta. E ndonjëherë e vërteta thuhet edhe nga zemra e plastë. Ndonjëherë ne vëllaut i themi, ore hajvan, nuk nënkupton ofendim, nuk është sulm, nuk është nënçmim, por është një shprehje mllefi, një dëshpërimi edhe një siç e thotë populli i zemër të plastë. Edhe atë kategori dua ta shoh. Pasi që pse ndoshta në Shqipëri në Maqedoni nuk ka idiotë siç thotë vleni atje, por të gjithë pajtohemi se gjendja e shqiptarëve në Maqedoni është idiotike. Jo për faj të Ferit Hoxhës, po për faj të grupimeve politike të cilat asnjëherë nuk treguan kësi zell rebelimi, dinjiteti të ofenduar, por jo ndaj Gruevskit, jo ndaj Sojkoviçit, jo ndaj Mickovskit, jo dhe ndaj Vuçiçit. Kjo prirja që të kthejmë, të aktrojmë nusen e ofenduar për secilën fjalë që vjen sot ishte nga kinse ministri Hoxha, para dy vitesh ishte për një fjalë goje të Albin Kurtit për një hajvanat, i cili në çdo kontekst bisede ka më shumë konotacion humori, sesa ofendimi. Por kjo është kur kemi arritur në atë fazën e mllefit dhe dashurisë performative. Sikur Ferit Hoxha nesër ta ftojnë për një darkë solemne para korit diplomatik në Prishtinë, ai do vlerësohet si në të gjitha epitetet më të mundshme. Prandaj unë e kuptoj që edhe në Maqedoni ka prirje që të simplifikohet fjalori i komunikimit”, u shpreh ai në Ditarin e Fundjavës me Indrit Marakun në A2 CNN.

Zekolli theksoi gjithashtu se figura e Hoxhës ka një karrierë të konsoliduar diplomatike dhe është vlerësuar ndërkombëtarisht, çka e bën të diskutueshme idenë e një qëndrimi denigrues ndaj shqiptarëve.

“Unë kam qenë dëshmitar për veprimet e ministrit të ambasadorit atëherë Hoxha në favor të Kosovës dhe në mbrojtje të shqiptarëve të Maqedonisë. Po si çdo herë lajmet e mira asnjëherë nuk përfundojnë në minutazhet e para. Skandalet e vogla janë gjithmonë top tema e ditës. Kështu që do duhet të presim. unë jam jashtëzakonisht kritik ndaj kryeministrit Rama, por nuk mund ta aktroj tani të relativizoj një çështje e cila thjesht nuk ka pikë të përbashkët me realitetin. Siç e thashë do duhet të presin në memoret e tij apo në ndonjë shkrim nga Ëashington Posti që do vlerëson kontributin e zotit Hoxha”.

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos