“I quajti ‘idiotë’ shqiptarët e RMV”, reagon VLEN: Skandal politik e diplomatik, Ferit Hoxha të kërkojë falje publike

Nga A2 CNN
26 Prill 2026, 11:40 | Politikë

“I quajti ‘idiotë’ shqiptarët e RMV”, reagon

Koalicioni VLEN në Maqedoninë e Veriut ka reaguar ndaj ministrit të jashtëm shqiptar, Ferit Hoxha, pas publikimit të një mesazhi në WhatsApp, ku ky i fundit dyshohet se u është referuar shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut si “idiotë”.

Në një reagim në rrjetet sociale, VLEN e cilëson fyes dhe përçmues ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Sipas këtij subjekti politik, përdorimi i një gjuhe të tillë përbën skandal politik dhe diplomatik dhe nuk mund të kalohet si një incident i zakonshëm, përcjell A2 CNN.

Në reagimin e VLEN theksohet se fshirja e postimit nuk mjafton dhe se Hoxha duhet të kërkojë falje publike. VLEN kritikon gjithashtu mungesën e reagimit nga Tirana zyrtare.

Sipas deklaratës, ky rast nuk është vetëm një sulm ndaj një force politike, por një fyerje ndaj një pjese të gjerë të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Postimi i plotë në Facebook

VLEN: Fshirja e postimit nuk mjafton, ministri Ferit Hoxha duhet të kërkojë falje publike

Mesazhi përçmues i ministrit të Shqipërisë, Ferit Hoxha, ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, duke i quajtur “idiotë”, përbën skandal të rëndë politik dhe diplomatik. Një gjuhë e tillë është e papranueshme, fyese dhe larg çdo etike. Ajo dëshmon mungesë të kulturës diplomatike dhe hap dilema serioze se si mund një përfaqësues i shtetit shqiptar të flasë me përçmim për shqiptarët këtej kufirit.

VLEN nuk mund ta trajtojë këtë rast si një incident të zakonshëm komunikimi. Reagimet e shumta nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, përfaqësues politikë, gazetarë, publicistë dhe qytetarë dëshmuan se kjo gjuhë u lexua ashtu siç ishte fyese, përçmuese dhe e papranueshme.

Pas kësaj, Hoxha e fshiu postimin, sikur me një klik mund të fshihej edhe ofendimi publik. Por fshirja e postimit nuk mjafton. Për një akt të tillë duhet falje publike. Edhe më shqetësuese është heshtja e Tiranës zyrtare. Asnjë distancim dhe asnjë fjalë për këtë gjuhë denigruese ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

Mesazhi bëhet edhe më i rëndë nga fakti se në atë komunikim figuron edhe ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani. Në vend që të dënohej një gjuhë e tillë, me të drejtë është krijuar përshtypja se Tirana zyrtare, përmes ambasadorit të saj, po vendoset në funksion të opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Kjo është e papranueshme.

Kush përpiqet ta paraqesë këtë si ofendim vetëm ndaj VLEN-it, gabon rëndë. VLEN-in e kanë votuar dhjetëra mijëra shqiptarë. Pas VLEN-it qëndrojnë familje, intelektualë, punëtorë, pleq e të rinj, njerëz të ndershëm që kanë zgjedhur me votë rrugën e tyre politike.

Prandaj, ky nuk është vetëm sulm ndaj një subjekti politik, por përçmim ndaj një pjese të madhe të elektoratit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë periferi e kombit. Ata janë pjesë e pandashme e trungut shqiptar. Çdo gjuhë përçmuese ndaj tyre nuk prek vetëm një subjekt politik, por fyen një pjesë të gjallë të kombit shqiptar.

Ferit Hoxha duhet së paku të kërkojë falje publike.

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos