Andi Mustafaj: PD të dalë nga Tirana, Kavaja dhe Mirdita dy laboratorët e suksesit te selisë blu

Nga A2 CNN
15 Dhjetor 2025, 22:19 | Politikë

Andi Mustafaj, ish-drejtues i “Brain Gain” në Partinë Demokratike, në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, kërkoi që PD-ja të dalë jashtë Tiranës dhe të përqendrohet në Mirditë dhe Kavajë, të cilat i konsideroi “laborator suksesesh”.

“Duhet që Partia Demokratike të dalë nga Tirana. Ekziston kjo “sëmundje” që e gjithë politika shqiptare bëhet në Tiranë, ndërkohë që ka hapësirë mjaftueshëm kudo. Do të kisha dëshirë që PD-ja sot të kishte një nga shtyllat e saj “laboratorin” e sukseseve. Kemi Mirditën dhe Kavajën. Të rinjtë e PD-së do të doja që të shkonin në mënyrë vullnetare dhe të këshillonin kryetarët e bashkisë”, tha Mustafaj në Off The Record me Andrea Dangllin.

“Pra, hapësira ka, por duhet ndryshuar kultura jonë politike. Për shembull, nëse unë e kam betejën me regjimin, më jep ose jo post PD-ja, kjo nuk e bën regjimin më të mirë. Nëse ne jemi në autokraci, siç e denoncoj unë ndër vite, patronazhimi nuk zhduket nëse më jep ose jo mua post PD-ja. Ne duhet të ndryshojmë qasje: duhet të bëjmë politikë kudo, me mjetet tona dhe më pas të bashkohemi rreth këtyre dinamikave pozitive”, shtoi Mustafaj.

Sipas tij, “nëse presim që Sali Berisha të na japë post, atëherë jemi të angazhuar për arsyen e gabuar në politikë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos