Avokati i Popullit për zjarrin, “institucionet të papërgatitura, bashkia të ofrojë strehim”

Nga Ornela Joti
16 Prill 2026, 10:20 | Politikë

Avokati i Popullit Endri Shabani ka reaguar për zjarrin e ndodhur në Tiranë, ku u dogjën më shumë se 30 apartamente. Sipas tij, institucionet ishin të papërgatitura, ndërsa bashkia duhet të ofrojë strehim të menjëhershëm. Avokati i Popullit ka publikuar edhe disa nga gjetjet e raportit vjetor.

Pas zjarrit që përfshiu pallatin 12-katësh pranë Qendrës Spitalore, Avokati i Popullit deklaron se u dëshmua që institucionet shtetërore ishin të papërgatitura. Nga hetimi paraprak, ky institucion ka konstatuar problematika të pushtetit vendor, veçanërisht mungesë të sigurisë teknike në godina dhe mungesën e hapësirave për ndërhyrjen e zjarrfikësve.

Endri Shabani i bën thirrje bashkisë së Tiranës të ofrojë zgjidhje të menjëhershme për strehimin e banorëve, ndërsa kërkon më shumë kompetenca në funksion të qytetarëve.

Në prani të drejtuesve të Kuvendit të Shqipërisë, ambasadorit të Bashkimit Europian në Tiranë dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, Avokati i Popullit publikoi disa prej gjetjeve të raportit vjetor, me fokus tek shkelja e të drejtave të njeriut. Avokati i Popullit theksoi se numri më i lartë i ankesave të qytetarëve është ndaj Kadastrës. Ai u ndal edhe tek sistemi i drejtësisë dhe mbipopullimi në burgje.

Nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu, theksoi se do të ketë një ligj të ri për Avokatin e Popullit. Raporti vjetor i Avokatit të Popullit do të paraqitet në Kuvend paralelisht me ato të institucioneve të tjera kushtetuese. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos