Shella: Sot ne po hyjmë në bërjen e bujshme të gjyqit Berisha

Nga A2 CNN
15 Prill 2026, 21:29 | Politikë

Gerti Shella, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi se gjyqi Berisha po bëhet i bujshëm dhe shtoi se “kjo duhet të jetë seanca që është lakmuesi se si publiku njihet me mënyrën se si po administrohet ky proces”.

Eksperti i gjyqësorit u shpreh: “Nëqoftëse kemi një Reformë në Drejtësi e cila ka marrë përsipër që të advokojë sa më shumë përfshirjen e publikut dhe të medias edhe në procesin penal, kjo duhet të jetë seanca që është lakmuesi, pra testuesi se si publiku njihet me mënyrën se si po administrohet ky proces. Sot, në epokën e masmedias do mjaftonin gazetarët me mendim të kualifikuar profesional për të bërë një pasqyrim dinjitoz të kësaj seance që është e bujshme. Sot ne po hyjmë në bërjen e bujshme të gjyqit Berisha. Mendoj që mbrojtja ka arritur tanimë ta tërheqë në vorbullën e vet akuzatorin. Nuk duhet të harrojmë, është zoti Balla gjithashtu që është thirrur të dëshmojë bashkë me zotin Rama. Madje, zoti Balla dëshmon i pari. Kush është zoti Balla? Është kallëzuesi. Pra, nëse ka një person që e vuri në lëvizje prokurorinë për këtë çështje është zoti Balla. Ky tani thirret në cilësinë e dëshmitarit në gjyq. Unë nuk do habitesha që mbrojtja të avanconte jo vetëm me kërkesën për dëshmitar, por për çeljen e kallëzimit të parë, kallëzimit të dytë, kallëzimit të tretë në varësi të pohimeve, deponimeve që bëhen në sallën e gjyqit. Fakti që janë dy sisteme kolegjale, siç tha ndoshta avokati, mua nuk më bën përshtypje. Unë mendoj që kolegjialiteti dhe imuniteti janë stisje të kastave me pushtet për të shmangur përgjegjësinë. Po të shikoni juve, të gjithë këta veprojnë nën tisin e pandëshkueshmërisë dhe prandaj ka abuzim me pushtetin dhe një nga kamuflazhet më të mëdha të pandëshkueshmërisë në pushtet është kolegjialiteti. Për ta bërë më të kuptueshme për publikun: nëqoftëse 10 kriminelë do të ndërvepronin me njëri-tjetrin, jo vetëm që nuk do fshihnin fajësinë penale, por përkundrazi akuza penale rëndohet me dyfish mbi ta për shkak se jemi në kushtet e një grupi të strukturuar kriminal. Për politikanët kjo shuhet fare. Pra, nëse je grup i strukturuar, pra funksionon si një ekip me 10 ministra, ty të shuhet fare çdo gjë”.

Sipas tij, “imuniteti nuk është aspak mbrojtje nga drejtësia”, por “në kuptimin më të zhveshur është gjithashtu një maskë, një kamuflazh i detyrimit për të dhënë përgjegjësi në një moment të caktuar mbi veprimet, mosveprimet e zyrtarit të lartë, të veshur me pushtet, që administron para publike e kështu me radhë”.

“Pra, unë mendoj që fakti që emra konkret do të venë dhe do të ngucen në të njëjtën sallë gjyqi është një ngjarje e madhe. Ne nuk kemi komentuar ngjarje të tilla. Të paktën me sa kujtoj unë. Pra, kujtoj vetëm gjyqin Hajdari që ka pasur këtë përmasë të madhe ballafaqimi. Ne jemi tashmë në një gjyq me përmasa të tilla. Gjyq shekulli quhen këto në zhargonin gazetaresk. Të shikojmë se si do të avancojë. Pra, ky është gjyq me rëndësi kardinale”, theksoi Shella. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos