Çështja Balluku, Rama: Rasti nuk duhet përsëritur, drejtësia nënshtroi qeverinë

Nga Ervin Koçi
7 Dhjetor 2025, 14:28 | Politikë

Edi Rama nuk e bëri pushim as të dielën për të shprehur qëndrimet e tij ndaj vendimi të GJKKO-së që pezulloi nga detyra zëvendës kryeministren Belinda Balluku. Nga studio e PodCast në kryeministri kreu i qeverisë ripërsëriti qëndrimin se drejtësia e re kishte nënshtruar pushtetin e tij ekzekutiv.

“Ky veprim, që “de jure” quhet pezullim, por “de facto” është nënshtrim brutal i ekzekutivit, sjell përditë pasoja pas pasojash. Arsyeja, pse unë i ndaj disa shembuj me publikun, është për t’u kuptuar deri në fund se çfarë ka ndodhur, çfarë po kalojmë dhe çfarë po përpiqemi dhe po përpiqem të bëj, përmes adresimit të kësaj problematike befasuese dhe të befasishme në Gjykatën Kushtetuese, dhe të ndaj, jo vetëm pasojat, por edhe dëmet  që mund të bëhen të pallogaritshme”, tha Rama.

Por më shumë se sa qëndrimi se kush ka të drejtë apo jo, ajo që u dëgjua më fort ishte arsyeja e këtij diskursi publik.

“Ka një devizë, ne e kemi ndjekur si postulat: Mos ndërhy në punët e drejtësisë. Por, nga ana tjetër, kjo ndërhyrje brutale në trupin e qeverisë është një kambanë alarmi, që duhet dëgjuar deri në fund, për të mos u përsëritur më kurrë. Dhe kështu, duke ndihmuar njëri-tjetrin dhe duke rivendosur në pozicionet kushtetuese njëri-tjetrin, ndihmojmë Shqipërinë, ndihmojmë konsolidimin dhe modernizimin e shtetit shqiptar”, u shpreh kreu i qeverisë.

Për çështjen Balluku Gjykata Kushtetuese do të shprehet të enjten, pas dy shtyrjeve të një pas njëshme ku do të vendosë nëse do ta shqyrtojë çështjen në themel apo jo. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos