Balliu nga paraburgimi: Narkopushteti ngriti skemë ndaj të miturve për t’i arrestuar

Nga A2 CNN
21 Shkurt 2026, 16:03 | Politikë

Balliu nga paraburgimi: Narkopushteti ngriti skemë ndaj të miturve

Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Klevis Balliu, ka qenë sot në ambientet e paraburgimit, ku ka takuar qytetarët e arrestuar gjatë protestës së fundit. Sipas Balliut, arrestimet janë kryer në mënyrë çnjerëzore, të padrejtë dhe në shkelje të hapur të ligjit.

Gjatë deklaratës së tij, Balliu denoncoi edhe një rast që e cilësoi tepër të rëndë, duke akuzuar narkopushtetin për ngritjen e një skeme kriminale ndaj të miturve. Sipas tij, dy të mitur që ndodhen aktualisht në paraburgim janë përdorur në një skenar të inskenuar, ku një person u ka futur kapsolla në çantat e shkollës dhe u ka kërkuar që, në rast arrestimi, të deklaronin se ishin paguar nga opozita.

Sipas Balliut, vetëm pak minuta pas këtij momenti, të miturit janë arrestuar dhe po mbahen në paraburgim në mënyrë të padrejtë. Ai shtoi se edhe një tjetër fëmijë 15-vjeçar po mbahet në kundërshtim me ligjin në ambientet e policisë.

Balliu deklaroi se ka komunikuar personalisht me të miturit dhe theksoi se do të ndjekë çështjen deri në fund, duke garantuar se përgjegjësit do të mbajnë përgjegjësi për shkeljet e kryera. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos