“Dje, një ditë triumfi” Berisha: Fytyra e qëndresës ishin të rinjtë dhe adoleshentët, dhuna nuk kurseu të miturit

Nga A2 CNN
21 Shkurt 2026, 12:40 | Politikë

Sali Berisha ka deklaruar se protesta e zhvilluar më 20 shkurt 2026 ishte “ditë triumfi për kryengritësit paqësorë”. Ai theksoi pjesëmarrjen e të rinjve dhe adoleshentëve, duke akuzuar qeverinë dhe Edi Rama, si dhe Belinda Balluku, për përdorim dhune gjatë protestës.

“Përshëndes me mirënjohje të pakufishme ata dhjetëra mijëra të rinj, të reja, burra, gra, të moshuar që mbushën dje në kryengritjen paqësore të 20 shkurtit, më të fuqishmen që ka njohur Shqipëria pas 20 shkurtit 1991, në kryengritjen e cila jehoi dhe u shndërrua në mënyrë të rrufeshme në kryelajm në çdo votër shqiptare, por dhe në mbarë mediat më të mëdha të Gjermanisë, Francës, Britanisë, Austrisë dhe mediat më të mëdha të SHBA. Dje ishte ditë triumfi për kryengritësit paqësorë të pamposhtur, të cilët u përballën dhëmb për dhëmb 3 orë me narkoshtetin në një betejë epike kundër qeverisë së paligjshme të Tiranës, kundër Edi Ramës, Ballukut, farsës së tyre elektorale, vjedhjeve të tyre të papërmbajtura. Guximi i kryengritësve paqësorë, ishte mund të them, i jashtëzakonshëm. Tipari më kryesor i 20 shkurtit 2026 ishte se të rinjtë dhe adoleshentët, u bënë me qëndresën e tyre, guximin, trimërinë e tyre, tmerri i regjimit dhe fytyra e vërtetë e bukur e opozitës, e kryengritjes”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, protestuesit u përballën me forcat e policisë për rreth tre orë, ndërsa akuzoi qeverinë dhe policinë se përdori mjete dhune ndaj protestuesve dhe të miturve.

“Për 3 orë, në bulevard, në parlament dhe në rrugët e Tiranës u zhvillua një betejë e paparë. Regjimi përdori të gjitha mjetet e dhunës, nuk kurseu as plumbat e gomës, me snajper në ballë të kandidates tonë për deputete në Shkodër, intelektuales së njohur, Mehmeti. Por dhuna dhe terrori i policisë nuk kurseu adoleshentët, nuk kurseu të miturit. Protestuesit u qëlluan me snajper me bombolat e gazit pas koke. Të tjerë u goditën me këpucë në kokë të rrëzuar përdhe. Por ata qëndruan të pamposhtur. U përpoqën të frikësojnë të miturit dhe të pohojnë se kanë marrë lekë për të dalë në protestë, në një kohë kur ata absolutisht po ktheheshin nga shkolla pasi kishin ngrënë së bashku diçka dhe sot janë në komisariat”, theksoi kreu demokrat.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos