Rudina Hajdari, ish-deputete e Partisë Demokratike, u shpreh se 12 dhjetori duhet të shërbejë si moment reflektimi dhe bashkimi për demokratët, përballë qeverisë aktuale të kryesuar nga Edi Rama.
“Është një ditë e jashtëzakonshme për demokratët. Të gjithë ata që janë pjesë e anëtarësisë e duan Partinë Demokratike pavarësisht sfidave që ka. Por është e rëndësishme të jemi të bashkuar dhe të reflektojmë për rolin që kemi për të marrë në dorë fatet e vendit”, tha Hajdari në emisionin Off the Record me Andrea Dangllin.
Ajo theksoi se PD ndodhet në një moment kyç, duke pasur përballë një qeveri që sipas saj ka rënë totalisht në legjitimitet.
“Ne duhet të tregojmë krahasimet me vendet e tjera, të shpjegojmë qytetarëve se si po vidhen taksat e tyre dhe të ofrojmë alternativa të qarta për menaxhimin e vendit,” shtoi Hajdari, duke nënvizuar se PD duhet të ketë një strategji komunikimi të qartë dhe profesional.
Sipas saj, Partia Demokratike nuk mund të lejojë që debati brenda saj të humbasë fokusin tek qeveria dhe korrupsioni i përditshëm. “Rama e di që PD nuk është e unifikuar në mesazhe. Nëse opozita do të ishte më e fokusuar dhe profesionale, sot mund të ishte në pushtet,” tha Hajdari. (A2 Televizion)