Takimi i Ervin Salianjit me strukturat demokrate në Durrës ndezi menjëherë reagimin e ashpër të Sali Berishës, i cili e akuzoi për agjendë personale dhe mashtrim ndaj bazës. Ndërsa kreu i PD-së foli me tone të forta, pjesa tjetër e lidershipit zgjodhi heshtjen totale. Fati politik i Salianjit brenda partisë pritet të vuloset në mbledhjen e ardhshme të kryesisë.
Ervin Koçi
Takimi i Salianjit me strukturat e demokratëve në Durrës nuk u mirëprit nga Sali Berisha. Jashtë oborrit të Parlamentit, kryedemokrati ashpërsoi gjuhën ndaj tij duke e cilësuar si person me agjendë personale që nuk u shërben demokratëve.
“Ai do të ketë agjendë personale, ta vazhdojë gjer në fund. Se çfarë ishte salla, atë e di unë. I përgëzoj strukturat që nuk u mashtruan nga një takim me agjendë strikt private.”
Qëndrimet i bëri edhe më të ashpra, sidomos kur u pyet për pjesëmarrjen në takim, shkruan A2 CNN.
“Të deklarosh se militanti demokrat nuk dëgjohet, nuk ka mashtrim më të madh.”
Nëse kryedemokrati nuk u kursye në qëndrimet e tij, pjesa tjetër e lidershipit demokrat kishte zgjedhur kodin e heshtjes për këtë çështje.
Bashkëjetesa apo divorci i Salianjit me PD do të qartësohet në mbledhjen e ardhshme të kryesisë, nëse ai do të ftohet apo do të distancohet. (A2 Televizion)