Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, është shprehur se Reforma në Drejtësi ka nevojë për një vlerësim dhe rishikim.
Komentet Mediu i bëri në një lidhje live për ‘Ditari i Pasdites’ me gazetarin Pandi Gjata në A2 CNN, ku tha se përmes disa vendimeve, drejtësia e re ka shkelur ligjin dhe Kushtetutën.
Mediu shtoi gjithashtu se nuk mund të fitohet kredo në publik vetëm se po procedohen disa politikanë.
Ai tha gjithashtu se drejtësia është përdorur për të goditur autoritetin e opozitës, siç sipas Mediut, ndodhi para zgjedhjeve të 11 majit.
“Mendoj që është një vlerësim, përpara se të shkojmë te rishikimi. Për ta vlerësuar faktikisht a kemi një drejtësi të pavarur dhe funksionale apo jo. Drejtësia e pavarur dhe funksionale garantohet nga integriteti i njerëzve që janë në këtë sistem. Dhe duhet parë edhe organizimi dhe funksionimi i sistemit të drejtësisë, për t’i dhënë drejtësi qytetarëve.
Edhe fakti që drejtësia përdoret në kundërshtim me kushtetutën në kodin e procedurës penale si një gjueti kundër autoritetit të opozitës siç ndodhi para zgjedhjeve, për të krijuar një ide që problemi është opozita dhe jo qeveria që ka 14 vite në pushtet pothuajse, është diçka që patjetër duhet rishikuar. Nuk mundet të fitohet kredo se po procedohen politikanë dhe nga ana tjetër të shkelet kushtetuta dhe ligji”, tha mes të tjerash Mediu. (A2 Televizion)