Belinda Balluku, karriera politike nga viti 2004 deri më sot përballë drejtësisë

Nga Armend Pire
7 Shkurt 2026, 09:06 | Politikë

Belinda Balluku, numri dy i qeverisë së mandatit të katërt të Partisë Socialiste, e nisi karrierën politike në vitin2004. Asokohe zonja Balluku iu bashkua stafit të Bashkisë së Tiranës, nën drejtimin e Edi Ramës si kryebashkaik. Balluku fillimisht punoi si Këshilltare për Marrëdhëniet me Publikun dhe më vonë si Drejtore e Kabinetit të Kryetarit të Bashkisë, raporton A2 CNN.

Prej vitit 2006, Balluku ka qenë zyrtarisht pjesë e Partisë Socialiste. Belinda Balluku ka marrë pjesë në shtabet elektorale, ku ka organizuar evente të rëndësishme politike dhe ka drejtuar Kabinetin e Kryetarit gjatë periudhës janar 2011-janar 2012.

Nga shtatori i vitit 2013 e në vazhdim, Ballukut iu besua një tjetër detyrë e rëndësishme, pozicioni i Drejtorit të Përgjithshëm të ALBCONTROL Sh.A., fill pasi Rama kishte fituar mandatin e parë si kryeministër, shkruan A2 CNN.

Në fillim të vitit 2019,karriera politike e Belinda Ballukut do të merrte një hov të rëndësishëm. Më 17 janar, Rama e futi Ballukun në ekzekutiv duke e emëruar Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, edhe pse nuk kishte mandate të fituar deputeti. Këtë post Balluku e ka mbajtur për 7 vite, derisa GJKKO kërkoi pezullimin nga detyra të znj.Balluku.

Në korrik të vitit 2022, Balluku do të merrte një tjetër detyrë akoma më të rëndësishme në karrierën e saj politike. Edi Rama në mandatin e tretë, e bëri Ballukun krahun e djathtë të qeverisë së tij duke e emëruar si zv.kryeministre, përcjell A2 CNN.

Në fushatën e vitit 2025, Balluku ishte drejtuese e qarkut të Fierit, ku Partia Socialiste  siguroi  një rezultat rekord prej 12 mandate, duke i rrëmbyer Partisë Demokratike një mandat nga lista e mbyllur.

Sot, Balluku mban vetëm mandatin e deputetes, fituar fillimisht në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021e më pas mandatin e dytë të zgjedhjeve të 14 majit, 2025. GJKKO ka pezulluar nga çdo detyrë në ekzekutiv të znj.Balluku, gjatë një vendimi të marrë më 20Nëntor të vitit 2025.

Afro një muaj më vonë, pasi Rama nuk zbatoi masën e pezullimit, SPAK iu drejtua Kuvendit për heqjen e imunitetit. Përtej vendimit që do të marr Këshilli i Mandateve për këtë kërkesë të SPAK, Gjykata Kushtetuese këtë të premte, të 6 shkurtit 2026, nuk arriti të votojë në unanimitet kërkesën e kryeministrit Rama për rrëzimin e  vendimit të GJKKO. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos