Edi Rama po rrezikon negociatat me Bashkimin Evropian. Këtë shqetësim artikuloi Sali Berisha, sipas të cilit kancelaritë e huaja po shohin mundësinë e ngrirjes së negociatave të anëtarësimit, për shkak të qëndrimeve të kreut të qeverisë për dosjen e Belinda Ballukut dhe AKSHI-t.
“Burime shumë serioze informojnë se për diskutimet e gjera që po zhvillohen në kancelaritë evropiane dhe në BE, në të cilat nuk përjashtohet edhe opsioni i zhbërjes së plotë të procesit të integrimit në BE”.
Teksa kryeministrin e quan rrezik për Shqipërinë, Berisha thotë se opozita nuk do qëndrojë duar lidhur por do të reagojë.
“Përgjigjja e opozitës është një dhe vetëm një. Kryengritja paqësore deri në largimin e tij”.
Edhe njëherë i doli në krah gjyqtarëve e prokurorëve që kërkojnë rritjen e pagave.
“Gjykatësit dhe prokurorët e vendit kanë të drejtë 100% të pretendojnë një piramidë rrogash në frymën e Kushtetutës dhe ligjeve. Kanë të drejtë të refuzojnë një piramidë rrogash e cila është ndërtuar totalisht mbi baza, qëllimesh të zeza politike”.
Këto komente Berisha i bëri gjatë një konference për mediat, ku kërkoi sërish mbështetje nga qytetarët për protestën e 10 Shkurtit. (A2 Televizion)