
Taulant Balla duhej të ishte i dënuar me të paktën 30 vite burg për veprat penale që ka kryer. Kështu u shpreh Sali Berisha në një konferencë me gazetarët nga selia blu. Ai e akuzon kreun e grupit parlamentar socialist për lidhje me krimin në Elbasan, madje shkon më tej me akuzat, duke e cilësuar si porositës vrasjesh.
“Taulant Toyota Yaris duhej të ishte, për veprat penale që ka kryer, i dënuar me të paktën 30 vite burg. Porositësi i vrasjeve, sipas dokumenteve zyrtare, të shkatërruara me procesverbale, bashkëpunëtor i ngushtë i krimit, që shkoi dhe liroi me urdhër të Suel Çelës, ky është një ushtar i Suel Çelës, terroristët që vunë tritolin nën shalën e biçikletës së Lulzim Kullës, bashkë me prokurorin Vath Staka shkuan dhe i liruan”.
Kreu demokrat pretendon se ekzistojnë regjistrime dhe dokumente zyrtare që tregojnë komunikimet e Ballës me Mario Çelën, vëllain e Suel Çelës, ku sipas tij flitet për arrestime të kundërshtarëve të bandës në funksion të garantimit të votave në Elbasan.
“Taulant Balla është i regjistruar për bisedat që ka bërë me Mario Çelën, vëllain e Suel Çelës, në të cilën parashtrohen kushtet ku merr përsipër arrestimin e kundërshtarëve të bandës Çela në Elbasan, në mënyrë që ajo të angazhohet në veprimtari elektorale dhe të garantojë votat e premtuara. Taulant Balla është i regjistruar, por mbrohet nga Altin Troplini, në dosjen Toyota Yaris, ku kërkon tërheqjen e aseteve të bandës Toyota Yaris, që ishin të bandës së Elbasanit, që ishin konfiskuar, rikthimin e tyre tek policia, në mënyrë që ai t’i vononte, t’i nxirrte jashtë afateve ligjore. Janë të gjitha këto në dokumente zyrtare që unë i kam paraqitur shumë herë. Ndaj dhe Taulant Balla është një delinkuent ndër më kryesorët në politikën shqiptare sot pas Edi Ramës dhe Ballukut”, tha Berisha. (A2 Televizion)