“Jam i burgosur, por jo kriminel”, Memolla reagon pas dënimit: Do ta fitoj të drejtën time në Strasburg

Nga A2 CNN
11 Shkurt 2026, 11:39 | Politikë

“Jam i burgosur, por jo kriminel”, Memolla reagon pas dënimit:

Dy ditë pasi Apeli i Posaçëm e GJKKO dënoi me një vit burg kryetarin e Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla për veprën penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim, ky i fundit ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale. Në mesazhin drejtuar miqve dhe qytetarëve ai e cilëson veten “të burgosur politik” dhe thekson se do ta ndjekë betejën ligjore deri në Strasburg për të provuar pafajësinë.

Ai hedh poshtë zërat se çështja e tij është rezultat i përplasjeve brenda Partisë Socialiste, duke theksuar se mbetet socialist dhe se PS ka fituar pesë palë zgjedhje në Rrogozhinë nën drejtimin e tij.

Memolla shprehet se është sulmuar politikisht dhe personalisht që nga momenti kur mori detyrën, ndërsa arrestimin e lidh me veprime që, sipas tij, kanë qenë ndihmë për qytetarët në nevojë.

Ish-kryebashkiaku u bën thirrje mbështetësve të qëndrojnë të bashkuar dhe familjes së tij “të mbajë kokën lart”, duke theksuar: “Edisoni juaj është i burgosur, por nuk është kriminel”.

Postimi i plotë i Edison Memollës

Miqtë e mi, t'ju flas tashmë në cilësinë e një ish kryetari është normale por në cilësinë e një të burgosuri politik me apo pa të drejtë sigurisht që është e rëndë.

Së pari, falënderoj me zemër çdo mik/e, shok/shoqe, koleg/e, mbështetës/e, qytetar/e dhe familjarë për mbështetjen e pakufishme që më keni dhënë nga dhjetori i vitit 2020 e deri më sot, bashkë kaluam sfida përtej asaj çfarë mendonim se ishim të aftë të përballonim por sot fjalët për të përmendur arritjet tona mendoj që janë të tepërta pasi kush ka pasur sadopak besim dhe dëshirën e mirë, ka parë transformimin dhe 'luftën' e pastër që të gjithë bashkë kemi bërë krah për krah për të bërë më të mirën për qytetin tonë.

Së dyti, kushtet në të cilat flas nuk janë absolutisht ato që prisja nga vetja ime dhe nga drejtësia për të cilën kam luftuar fort, por mesa duket tentakulat e gjyqtarëve kundërshtarë politikë, shtrihen më gjerë sesa besimi dhe forca që ka drejtësia e re, ama lufta ime nuk mbaron këtu, do përdor çdo mundësi ta fitoj të drejtën time deri në Strasburg.

Së treti, fjala merr dhenë më shpejt se era dhe përveçse flitet se këtë situatë e kam "peshqesh" nga kundërshtarë politik, nuk më pëlqen aspak ideja që diskutimi zgjerohet duke thënë që "peshqeshi" vjen nga radhët e partisë socialiste qoftë brenda qytetit apo më lart.

Miqtë e mi, me Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama në krye, në Rrogozhinë, kemi fituar pesë palë zgjedhje, qytetarët na besuan plot pesë herë për aq kohë sa kam qenë drejtues apo kandidat, nëse do kishte sulme personale, askush s'do më kishte lejuar të ushtroja këtë "pushtet" me të gjithë ju përkrah nëse punët do ishin ndryshe nga çfarë janë, unë jam socialist dhe i tillë do mbetem dhe ju duhet të siguroheni që me ose pa mua të qëndroni të bashkuar, mos lejoni as kundërshtarët politik dhe as njëri tjetrin që t'ju distancojë nga qëllimi final, këto s'janë vetëm fjalët e një të burgosuri por janë fjalët e dikujt që njeh çdo rrënjë, degë apo gjethe të familjes së madhe socialiste.

Së katërti, sulmet personale, politike madje edhe familjare kanë qenë të njëpasnjëshme që në momentin që kam futur këmbët në zyrën e kryetarit të bashkisë Rrogozhinë dhe kam pasur bindjen që janë normale por të sulmohem dhe të burgosem sa kam ndihmuar dikë në nevojë, e kam shprehur dhe do ta them sërish...sa herë të kem mundësi t'i qëndroj pranë dikujt në vend që ta "gjunjëzoj" përballë vështirësive të jetës, çdo herë do kisha bërë të njëjtën sjellje për ta ndihmuar, qoftë kjo për energjinë elektrike apo nevoja të tjera jetësore. Kryetarllëku ikën e vjen po dashtë zoti jeta do të jetë shumë më e gjatë sesa kaq.

Së pesti, do ketë plot që do mërziten sikundër do jenë të shumtë dhe ata që janë gëzuar për gjendjen ku ndodhem, kam dy fjalë edhe për këtë...ndoshta do quhem i korruptuar, ndoshta hajdut, ndoshta i pabesë, ndoshta zaptues i asaj karrigeje, ndoshta do përflitem që mora apo lash stafetë kur ndërkohë aty vendoset ai që populli dhe drejtuesit mendojnë të aftë, ndoshta quhem si dikush që i ka rënë dikujt kot në qafë, mund të hidhet vrer mbi mua apo dhe ndaj familjes time, këto janë fjalë që do thuhen qofsha un më i miri apo më i keqi drejtues që ka qenë në krye të atij institucioni por dëshira e mirë dhe të kem dinjitetin tim të paprekur kanë qenë gjithnjë udhëheqësit e mi kryesor.

Së fundmi, qytetarëve i uroj përzemërsisht të kenë shëndet, mbarësi dhe dashuri në familjet e tyre.

Mbështetësve i them besojnë fort që më e mira është përpara, fati bëri një lojë tjetër me mua dhe vendosi që të vuaj dënimin në një institucion për të cilin u bë "molla e sherrit" në "kulmin" e karrierës sime por siç kuptuam edhe atëherë, fundi mund të jetë afër por shpresa për më mirë nuk ka asnjëherë fund. Vazhdoni të besoni dhe të luftoni për idealet tuaja, pavarësisht pengesave që do dalin para.

Dhe e fundit edhe më e rëndësishme, i them familjes dhe të afërmve të mi që të rrinë me kokën lart, Edisoni juaj është i burgosur por nuk është kriminel, Edi juaj as nuk ka vrarë, as nuk ka prerë dhe as nuk ka vjedhur, ju s'keni gabuar askund ndaj mos u mërzisni, është thjeshtë një sfidë tjetër të cilën do ta kalojmë të gjithë bashkë me miq e shokë zemre pranë.

Për të gjithë...nuk është një lamtumirë por vetëm një mirupafshim për një kohë të caktuar, zoti ju bekoftë!

Me respekt, Edison Memolla! (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos