"Berisha e ka zbutur gjuhën ndaj SPAK"- Koka: Rama e ka ashpërsuar, kërkon rishikim të drejtësisë

Nga A2 CNN
12 Janar 2026, 21:40 | Politikë

Gazetari Bledian Koka ka deklaruar se skena politike shqiptare po përjeton një përmbysje rolesh sa i takon qëndrimit ndaj reformës në drejtësi dhe SPAK-ut, ku kryeministri Edi Rama po shfaqet gjithnjë e më kritik, ndërsa kreu i opozitës, Sali Berisha, ka zbutur ndjeshëm gjuhën e tij.

I ftuar në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin, Koka u ndal te deklarata e fundit e Ramës, i cili paralajmëroi rishikimin e reformës në drejtësi, këtë herë jo me modelin amerikan, por me atë francez. Sipas gazetarit, ky është një sinjal i qartë përplasjeje mes qeverisë dhe sistemit të drejtësisë.

Në të kundërt, Koka vuri në dukje se Berisha, dikur një nga kritikët më të ashpër të SPAK-ut, sot ka ndryshuar qasje.

“Berisha e ka latuar gjuhën ndaj SPAK-ut. Ai e ka ndarë konfliktin personal me Altin Dumanin nga qëndrimi ndaj institucionit dhe sot shfaqet më pranë mbështetjes së drejtësisë,” tha Koka.

Ai theksoi se një moment kthese ishte ngritja e akuzës penale ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke e cilësuar atë si vijën ndarëse mes dy fazave të veprimit të SPAK-ut.

Sipas Kokës, thirrja e Belind Këlliçit në SPAK lidhet me një procedurë të hershme verifikimi për falsifikim vulash dhe shpenzimet e Kuvendit të 11 dhjetorit, çështje që, sipas tij, pritet të mbyllet pa pasoja penale.

Në analizën e tij, gazetari ngriti pyetjen kryesore, se a ndodhet sot kryeministri Rama në një konflikt të hapur jo vetëm me SPAK-un, por edhe me interesat amerikane në Shqipëri?

“Kjo përplasje është tashmë e dukshme. Qytetarët po shohin qartë kush është kundër reformës në drejtësi dhe kush përfiton prej saj,” përfundoi Koka. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos