Ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka deklaruar se drejtësia penale është mjeti i vetëm efektiv për të goditur një klasë politike të zhytur në korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar, duke e cilësuar SPAK-un si “recetën e fortë” që i ka munguar prej vitesh sistemit politik shqiptar.
I ftuar në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin, Alibeaj kundërshtoi tezën se ndryshimi i klasës politike mund të vijë vetëm përmes mjeteve politike, duke theksuar se këto mekanizma kanë dështuar.
“Jam i bindur që një klasë politike e zhytur në korrupsion dhe në aleancë me krimin e organizuar, ilaçin më të duhur e ka drejtësinë. Jo për të ndryshuar politikën, por për të goditur ata që abuzojnë me pushtetin,” u shpreh Alibeaj.
Duke iu përgjigjur kritikëve që flasin për “republikë prokurorësh” apo “mbidozë drejtësie”, ish-ministri tha se ajo që po ndodh sot është thjesht normalitet në një shtet të së drejtës.
“Nuk është republikë prokurorësh dhe as mbidozë ilaçesh. Shoqëria shqiptare thjesht nuk është mësuar që të paprekshmit e politikës të shkojnë në prokurori. Ky është normaliteti në një shtet ligjor,” theksoi ai.
Alibeaj vuri në dukje se frekuentimi gjithnjë e më i shpeshtë i dyerve të SPAK-ut nga politikanët është shenjë e funksionimit të drejtësisë dhe jo e një krize.
“Ata që kanë potencialin të bien në korrupsion, abuzim pushteti apo lidhje me krimin e organizuar duhet të përgjigjen si çdo qytetar tjetër i Republikës,” deklaroi ai.
Sipas Alibeajt, Shqipëria po vuan ende nga një mentalitet i trashëguar, ku të fuqishmit konsideroheshin mbi ligjin, ndërsa sot ky perceptim po thyhet.
“Kjo është simptomë e një shteti të së drejtës dhe e një demokracie të brishtë që po ndërton themelet e saj europiane,” shtoi ai.
Në analizën e tij, Alibeaj tha se mjetet politike kanë dështuar të sjellin rotacion pushteti dhe ndëshkim moral përmes zgjedhjeve.
“Mjetet politike kanë dështuar. Nuk po prodhojnë më rotacion, as ndëshkim moral-politik. Ky ilaç duket se është skaduar,” u shpreh ai.
Në këtë kontekst, ish-ministri i Drejtësisë e cilësoi drejtësinë penale si një shtysë të domosdoshme për shkundjen e klasës politike aktuale.
“Kjo recetë e fortë e drejtësisë duhet të krijojë bindjen se askush nuk futet më në politikë me idenë për ta kthyer pushtetin në plaçkë dhe për t’ia hedhur pa u lagur,” përfundoi Alibeaj. (A2 Televizion)